Nëpërmjet një konference për shtyp të Lëvizjes Besa të krahut të Kasamit, thonë se ky propozim buxhet, nuk parasheh rritje të investimeve kapitale në proporcion me rritjen e buxhetit.
“Qeveria si propozues, me matematikat e saja ambicioze në përpilimin e propozim buxhetit, nuk është mbështetur në realitetin faktik që kemi në shtet. Edhe pse qeveria po proklamon buxhet social, ajo nuk i përmbahet premtimit të saj, pasi rritjen e rrogave nuk e parashikon ashtu si ka premtuar”, thonë nga Lëvizja Besa, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sipas Lëvizjes Besa, për shqiptarët edhe ky propozim buxhet, si edhe propozim buxhetet e kaluara, nuk përmbush nevojat dhe kërkesat e tyre, duke nisur nga procesi i decentralizimit, i cili nuk është përmbyllur me sukses.
“Si rezultat i kësaj, sot komunat ballafaqohen me mungesë të mjeteve për financim të projekteve dhe me këtë vështirësohet puna e tyre. Vet fakti i faljes së borxheve të komunave nga ana e qeverisë me ligj të veçantë, tregon gjendjen e rëndë në të cilën funksionojnë ato. Këtu duhet të potencojmë se këto borxhe, komunat i kanë krijuar në mënyrë jotransparente dhe jo në interes të qytetarëve” theksojnë nga Lëvizja Besa./Telegrafi/