Lëvizja Besa në një komunikatë për shtyp për Telegrafi Maqedoni, ka kritikuar Komunën e Gostivarit për mospërmbushjen e kërkesave disavjeçare të banorëve shqiptarë të fshatrave të malësisë në Gostivari për rrugët që lidhen me qytetin.
‘Banorët e fshatrave, si Sërmnova, Tërnova, Strajani, Patalishti, por edhe Llakavica, tashmë një kohë të gjatë përballen ditë për ditë me gjendjen e vështirë të rrugës së vetme që i lidh ato me qytetin e Gostivarit. Ata vazhdimisht e kanë ngritur zërin dhe kanë kërkuar rregullimin e kësaj rruge, që mund të ngjajë në gjithçka, por jo në një rrugë të shekullit dhe kohës në të cilën jetojmë.
Ndonëse kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, ka rrahur gjoksin nëpër fushatat parazgjedhore, duke premtuar rregullimin e kësaj rruge, në saje të së cilës edhe ka rrëmbyer votat, ai premtim deri më sot ka mbetur i njëjtë me hapjen e kufirit Llojan-Miratoc.
Lëvizjes BESA – Gostivar e pyet kryetarin Bejta dhe BDI-në e tij se deri kur do të vazhdojë diskriminimi i vendbanimeve shqiptare, përderisa pala tjetër ndërton me qindra e mijëra kilometra rrugë në vendbanimet me shumicë maqedonase? Dhe, deri kur vendbanimet shqiptare do të vazhdojnë t’u ngjajnë getove, përderisa vendbanimet maqedonase ditë e më shumë u ngjajnë qendrave më të urbanizuara evropiane?
Duke parë hallin e këtyre banorëve, Lëvizja BESA – Gostivar kërkon nga kryetari i Komunës, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, që të ndërmarrë masa për rregullimin e rrugës në fjalë, në mënyrë që t’u japë fund peripecive të këtyre banorëve, duke u mundësuar atyre lëvizjen e lirë.
Ndërkaq për gjendjen e kësaj rruge, e cila më shumë i ngjan një dhiareje, me asfalt thuajse krejtësisht të dëmtuar, më shumë se çdo fjalë, flasin pamjet në vijim’, shtojnë nga Lëvizja. /Telegrafi/