Sot, Lëvizja Besa ka bërë një deklaratë zyrtare lidhur me akuzat ndaj Pushtetit dhe BDI-së në Maqedoni të Veriut. Në këtë deklaratë, Lëvizja Besa theksoi se pushteti aktual dhe BDI nuk bëjnë krime vetëm duke zhvatur popullin, por edhe duke manipuluar me dezinformata dhe luajtur me ndjenjat etnike e fetare të qytetarëve.
Në fjalën e tyre, Lëvizja Besa ka akuzuar BDI-në se ka vendosur një kryq në Kodrën e Diellit dhe ka tentuar ta atribuojë këtë veprim Lëvizjes Besa. Megjithatë, ata shpalli se kjo tentativë ka dështuar, duke prezantuar dokumente që tregojnë se BDI ka përdorur pronën e Kishës Ortodokse për këtë qëllim.
“Dokumentet që posedojmë e dëshmojnë qartazi historinë e ndodhur. Ne do t’i dërgojmë ato sërish për verifikim,” thonë nga Lëvizjes Besa.
Në vijim të deklaratës, Lëvizja Besa akuzoi BDI-në për politika anti-qytetare dhe anti-evropiane, duke thënë se këto politika nxitin urrejtje dhe konflikte ndërfetare e ndëretnike. Ata përmendën se një kryq tjetër gjigant është vendosur në Kumanovë, duke bërë thirrje për ndëshkim për veprimet e BDI-së dhe pushtetit.
“Sot, BDI dhe pushteti vazhdojnë të heshtin për ngjarjet në Kumanovë. Ne pyesim, pse heshtin? Përgjigja mund të jetë se nuk kanë Bilall Kasamin për ta fajësuar, por kanë një kryetar komune të cilin e kanë partner dhe ndërtojnë politika të përbashkëta,” theksoi zëdhënësi i Lëvizjes Besa.
Lëvizja Besa mbylli deklaratën duke shprehur bindjen se politikat e BDI-së do të kenë një fund të shpejtë dhe se qytetarët do ta shprehin vendimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme. /Telegrafi/