Telegrafi

Lëvizja Besa, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët përshëndesin Kosovën për themelimin e Ushtrisë së saj

Lëvizja Besa, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar në lidhje me votimin e ndryshimeve ligjore që çojnë në themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në reagimin e tyre, Lëvizja Besa shprehet se pas sakrificës dhe mundit vjen edhe shpërblimi, dhe se populli i Kosovës e ka merituar që moti ta ketë ushtrinë për të qenë e barabartë me çdo shtet, njoftën Telegrafi Maqedoni.

Ndërkaq, Ali Ahmeti, në emër të BDI-së, shprehet se Ushtria e Kosovës paraqet themel të paqes e stabilitetit në rajon, dhe se e tërë Evropa Juglindore përfiton një aleat tjetër në betejën për ndërtimin e kapaciteteve demokratike perëndimore.

Ziadin Sela shprehet se shteti dhe pavarësia është më kuptimplote, kurse liria më e mbrojtur. Njiherit nga partia që ai udhëheq, reagojnë ndaj deklaratave të Kryeministrit Zoran Zaev, duke konsideruar se vetëm Rusia dhe Serbia janë kundër Ushtrisë së Kosovës.

Tutje, Aleanca për Shqiptarët konsideron se deklaratat e Zaevit tregojnë nacionalizëm ndaj shqiptarëve, Kosovës, si edhe ndaj SHBA-ve. Njiherit kjo parti kërkon tërheqjen e deklaratës së Zaevit./Telegrafi/