Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa: Banka Botërore dëshmon për realitetin e hidhur ekonomik të Maqedonisë

Lëvizja Besa në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni ka reaguar rreth Raportit ekonbomik për Maqedoninë nga Banka Botërore.

‘Lëvizja Besa në vazhdimësi po ndjek situatën ekonomike dhe sociale në Maqedoni dhe, vazhdimisht, me anë të reagimeve dhe organizimeve të ndryshme, po tërheq vërejtjen se kjo qeveri për çdo vit po e ngulfat ekonominë e vendit, me çka po krijohen kushte të favorshme që një pjesë e popullatës ta braktis vendin, një pjesë tjetër të jetojë nga ndihmat sociale, kurse biznesi i vogël të mbijetojë me borxhe.

Këtë klimë të ekonomisë tashmë na e përdëfton edhe Banka Botërore në raportet që dalin nga ky institucion. Në të vërtetë, ne si Lëvizje Besa kemi paralajmëruar për rreziqet e shpejta të huamarrjes që i merr kjo qeveri, si dhe për rritjen e borxhit publik, që këtë vit do ta tejkalojë edhe 53%-shin, ndërsa kjo e ka ndihmuar edhe për uljen e investimeve të huaja dhe rritjen e deficitit buxhetor, që vijnë si pasojë e ngufatjes ekonomike dhe sociale në vend dhe si rezultat i keqmenaxhimit qeverisës të kësaj qeverie.

Ne si Lëvizje Besa, me anë të Platformës Ekonomike, kemi paraparë që të shpejtohet zgjidhja e krizës politike, me çka do të ofrojmë zgjidhje për reduktimin e deficitit buxhetor, uljen e borxhit publik, si dhe koordinimin dhe kontrollin mbi huamarrjet që ato të menaxhohen për investime kapitale me rezultat të krijimit të inputeve dhe reforma strukturore të sektorëve ekonomikë’, thuhet në komunikatën e Lëvizjes. /Telegrafi/

Exit mobile version