Telegrafi

Lëvizja Besa: Arrestimi i Janevës i vonuar, kërkojmë zgjerimin e hetimeve edhe për aktorë tjerë

Partia opozitare shqiptare Lëvizja Besa, e ka komentuar arrestimin dhe paraburgosjen e prokurores speciale Katica Janeva, e cila është e dyshuar në rastin “Haraçi”.

Nga Lëvizja Besa thonë se tani Prokuroria Publike është para një sprove shumë të madhe që ka të bëjë me rikthimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin sistemit juridik, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Prandaj inkurajojmë Prokurorinë Publike që mos të bjerë pre e presioneve politike nga disa parti politike, dhe të vazhdojë hetimin e plotë deri në zbardhjen e plotë të rastit “Haraçi” por njëkohësisht mos të fokusohet i gjithë kapaciteti hetimor vetëm në këtë rast por paralelisht të vazhdojnë hetimet edhe për raste tjera deri në zbardhjen e plotë të tyre”.

“Njëkohësisht apelojmë deri te prokurorët e Prokurorisë Speciale, që leksionin që e morën nga rasti “Haraçi” t’u shërbejë si mësim dhe udhërrëfyes që të jenë të kujdesshëm për angazhimin e tyre profesional në të ardhmen, prandaj urgjentisht duhet të dëshmojnë se vazhdojnë misionin e tyre fillestar për rikthimin e drejtësisë dhe nxjerrjen e gjithë kriminelëve dhe personave të inkriminuar në krim dhe korrupsion para drejtësisë”.

“Pasi deri më tani kemi vlerësuar se qasja e Prokurorisë Speciale ka qenë selektive dhe e njëanshme, inkurajojmë që ata të procedojnë sa më shpejt hetimet edhe për të dyshuar potencial nga rregjimi i kaluar që janë politikisht aktiv në partinë e quajtur BDI”.

“Rikujtojmë që çdo drejtësi e vonuar është vrasje e shpresës për një ardhmëri më të mirë në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja Besa ashtu si në fillim edhe sot mbetet e pa lëkundur në qëndrimet e saj se askush nuk duhet të bëjë kompromis me drejtësinë dhe barazinë në këtë shtet”.

“Edhe njëherit rikujtojmë qëndrimin tonë se është më se e nevojshme që sistemit juridik të shtetit t’i jepet një impuls shtesë dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes një Komisioni Shtetëror i udhëhequr nga SHBA dhe BE që jo vetëm do ndihmojë drejtësinë në Maqedoninë e Veriut, por do vendosë edhe themelet e një gjyqësori dhe prokurori profesionale, me kredibilitet dhe respektim të ligjeve në mënyrë të njejtë për të gjithë pavarësisht përkatësisë politike, etnike, fetare etj”, thonë nga Lëvizja Besa./Telegrafi/