Avdil Ibishi nga Komuna e Gjilanit është person me nevoja të veçanta, mirëpo kjo nuk e ka penguar atë që të kryejë punën e mirëmbajtësit të rrugëve të qyteti. Madje ai thotë se dëshiron që të kontribuojë për vendin që të jetë taksapagues i shtetit e jo rast social.
Çdo ditë në orën pesë të mëngjesit Avdil Ibishi e nis orarin e tij të punës.
E, fakti se ai është në karrocë invalidore nuk i bën problem atij që të mirëmbajë rrugët e qytetit të Gjilanit.
Madje ai ka një arsye pse e bën këtë punë.
“Mua më së shumti më ka motivuar që të jem taksapagues i shtetit e jo rast social. Kështu që e kam parë të udhës që mund të jem kontribuues i kësaj shoqërie, sepse nuk është rëndë. Edhe pa qenë punëtor i ndërmarrjes sa herë kam kaluar në qytet dhe kam hasur në mbeturina i kam vendosur ato në shportën e mbeturinave”, tha për RTV Dukagjinin, Avdil Ibishi.
Ibishi, i cili është baba i dy fëmijëve dhe personi i vetëm i punësuar në familjen e tij, thotë se gëzon përkrahjen e kolegëve në punë edhe të qytetarëve.
Por, problem i tij i vetëm është mungesa e hapësirave rrugore për lëvizje të personave me nevoja të veçanta.
“Si të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, kam pak problem në lëvizje por në punë nuk kam kurrfarë pengesa dhe gjithçka bëj me vullnet”, shprehet Ibishi, përcjell Telegrafi.
Edhe nga kompania ‘Eco Higjena’, ku Avdil Ibishi është i punësuar, thonë se janë të kënaqur me punën që ai kryen.
“Prej që është Avdil Ibishi në kompaninë ‘Eco Higjena’ është punëtor i zellshëm dhe i mirë. Nuk i bën kush presion. Punon aq sa ka mundësi. Nuk ka diçka të veçantë që është i obliguar. Punon me orar të përgjysmuar”, deklaroi Imer Bushati.
Bushati thotë se janë të gatshëm të punësojnë edhe punëtorë të tjerë me nevoja të veçanta. /RTV Dukagjini/Telegrafi/