Eksperti i Kombeve të Bashkuara për liri fetare, Ahmed Shaheed, e ka lavdëruar Shqipërinë për tolerancën ndërfetare, duke konsideruar se është një shembull për vendet e tjera.
Shaheed tha se Shqipëria është model për harmoni ndërfetare, me shumicë myslimane, dhe komuniteteve ortodokse, katolike e bektashi, në mesin e tre milionë banorëve të saj.
Ky ekspert sot e ka përfunduar një qëndrim tetëditor sh në Shqipëri për ta përgatitur raportin për politikat dhe praktikat e saj fetare, përfshirë çështjet e pazgjidhura ose sfidat e reja.
“Liria e religjionit ose besimit është realitet praktik në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e botës mund të mësojë nga përvoja e Shqipërisë në respektimin e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe religjionit ose besimit dhe për arritjen e harmonisë ndërfetare”, tha Shaheed, raporton AP nga Tirana.
Sipas tij, pas komunizmit Shqipëria ka bërë “rikonstruktim të shpejtë të infrastrukturës fetare dhe revitalizim të lidershipit shpirtëror”. Ai i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë që “ta mbajnë harmoninë unike shoqërore dhe bashkëjetesën, që mbetet realitet në Shqipërinë e sotme”.