Telegrafi

Levante edhe zyrtarisht ankohet, Barcelona mund të përjashtohet nga Copa del Rey

Levante edhe zyrtarisht është ankuar në Federatën e Futbollit të Spanjës për ndeshjen e parë kundër Barcelonës, ku katalanasit bënë një gabim të pabesueshëm.

Ishte i ri Juan Brandariz, i cili nuk kishte të drejtë që të paraqitet për ekipin e parë të blaugranave.

Barcelona (Photo by David Ramos/Getty Images)

Brandariz ishte dënuar me një ndeshje mos lojë me Barcelonën B dhe rregullat thonë se pezullimi vlen edhe në rast dëshiron të paraqitet për skuadrën e parë.

“Levante dërgoi një ankesë këtë mëngjes në Federatën Spanjolle të Futbollit për shkak të pjesëmarrjes së paligjshme të lojtarit të Barcelonës në ndeshjen e parë të finales së 1/16-të të Copa del Rey,” shkruan në njoftimin e klubit të publikuar në Twitter.

Barcelona është në dijeni të këtij apeli dhe tani është duke pritur vendimin e gjyqtarit kryesor të Kupës Spanjolle, Carmen Perez.

Lexo po ashtu Messi edhe me një rekord, hyn në 'klubin e 800'

Për shkak të një gabimi të ngjashëm, Real Madrid u përjashtua nga Kupa në vitin 2015. Në ndeshjen kundër Cadizit, Denis Cherishev ishte në skuadër, i cili nuk kishte të drejt pasi kishte mbushur numrin e kartonëve të verdhë në ndeshjen me Villarrealin, të cilën gjë e kishin anashkaluar madrilenët.

Ajo që mund të jetë një rrethanë qetësuese për katalanasit është se Levante duhet ta dorëzonte këtë apel deri të hënën pas ndeshjes së parë të kupës që e fituan 2:1. /Telegrafi/