Telegrafi

Let’s Dance synon sensibilizimin për medikamentet e fëmijëve të prekur me diabet të tipit 1, flasin nga AMC

Action for Mothers and Children AMC, në kuadër të misionit të organizatës, që është shpëtimi i jetës së nënave dhe fëmijëve, sonte do të organizojë eventin Let’s Dance.

Ky është edicioni i tetë me radhë nga AMC, transmeton Telegrafi.

Rina Demiri-Spahija, drejtoreshë e Action for Mothers and Children, për Telegrafin tha se ky edicion pritet që të ketë efekt sensibilizimi për rëndësinë e medikamenteve për menaxhimin e diabetit të fëmijëve.

“Ky edicion i 8-të i Let’s Dance pritet të sensibilizojë të pranishmit dhe institucionet relavante për rëndesinë që duhet kushtuar për të siguruar pajisje dhe medikamente të nevojshme për menaxhimin e diabetit të tipit 1 tek fëmijet. Ku çdo vit në QKUK në Kliniken e Pediatrisë rreth 500 fëmije marrin shërbime e nevojshme dhe esenciale për trajtimin e diabetit”, tha ajo.

Tutje, ajo shtoi se mjetet financiare që do të mbledhen nga ky event do të dedikohen për blerjen e medikamenteve të fëmijeve të prekur me diabet të tipit 1 dhe një pjesë për rregullimin e hapësirave të Klinikes së Pediatrisë në QKUK.

“Mjetet e mbledhura nga ky event që nga blerja e biletave dhe nga mbështetja e donatoreve/bizneseve do të dedikohen komplet në blerjen e pajisjeve dhe medikamenteve për fëmijet me diabet të tipit 1. Gjithashtu një pjesë e fondeve do të dedikohet për rregullimin e disa hapësirave brenda QKUK- Klinikës së Pediatrisë, të cilat pastaj do të shërbejnë për trajnime/konsulta për prindër se si duhet të kujdesen/trajtojnë fëmijët nëse kanë diabet, gjithashtu një hapesireë do të dedikohet edhe si rekreacion për fëmijët të cilët janë duke u trajtuar në pediatri”, tha ajo.

Ndryshe, AMC gjatë vitit organizon edhe evente të tilla si në Kosovë dhe më gjerë. Ndërsa, sonte në event do të jenë të pranishëm shumë figura vendore dhe ndërkombetare që e mbështesin misionin e kësaj organizate. /Telegrafi/