Site icon Telegrafi

“Letrat nga Bagdadi”

Meqë me udhëheqjen e një shteti merret elita e një shoqërie, klasa më inteligjente – ajo që duhet të jetë e aftë të vendos rregull për të mbrojt të shtypurin duke vënë drejtësinë përmes së cilës, siguri për qytetarin e vet – nga ana tjetër, krahas zhvillimit të saj, bota veç nacionalizmit po përballet seriozisht me një virus më mizorë se Zika, të ngjashëm që kishte Evropa e krishterë shekuj më parë.

Kërcënimi real që vjen nga ISIS-i nuk është ajo copë tokë që e quajnë “Dawlah Islamiyah” – të cilën e uzurpuan me dhunë dhe poshtërim. Sepse, nuk është as hera e parë që poshtërohet kësisoj Bagdadi, qyteti antik, betejën për të cilën veçse e ka të humbur UNESCO.

Betejën reale me forcë ushtarake e fiton Perëndimi edhe pa Lindjen, sepse është shumë herë më i zhvilluar sesa “shkatërruesit (religjiozë) në Tokë”. Mirëpo, përpara betejës ideologjike, Perëndimi ka mbetur i hutuar dhe do ta gjejë një ditë kurën për këtë virus. Por, duket se po vonojnë.

Se pse janë urgjente të fliten temat për islamin e Ideologjizuar politikisht, tregon një fakt logjik: ndikimi propagandistik “isisian” në të gjitha gjuhët e botës – nëpërmjet medias virtuale.

Republika e Kosovës veç me një gjë mund të krahasohet me shtetet e Perëndimit, pa pasë rëndësi numri i banorëve: me numrin e madh të mercenarëve religjiozë (sepse kodet xhihad, muxhahid e të ngjashme nuk kapen si luftë e luftëtar i Allahut në përmbajtjen origjinale të Librit të myslimanëve) të cilët po kërcënojnë në emër të një Allahu që nuk është logjik. Po kjo s’ka rëndësi kur ka po atë petk dhe po atë frymë edhe në thelbin e ligjërimit të islamit në shqip, në përkthim – në literaturën shqipe.

300 mercenarët religjiozë që ka Republika në Irak dhe Siri, janë një numër shqetësues. Mirëpo, numri i përkrahësve moralë të paidentifikueshëm e të parashikueshëm – dhe njëkohësisht të pafajshëm se janë të pavetëdijshëm se janë të mashtruar nga kjo ideologji – është shumë herë më i madh.

Dhe, këtu po dështon të përballet realisht Republika e Kosovës me islamin politik, duke mos e luftuar nga rrënja, mbase duke qenë e mashtruar njëkohësisht edhe nga Bashkësia Islame e cila nuk di cilën anë mban. Sepse, ajo asnjëherë nuk argumentoi me fjalë të Zotit (jo të tyre) pse në ISIS janë kriminelë.

Kjo është e logjikshme, sepse ISIS është tentimi i dytë pas al-Qaedas, i atyre mësimeve ideologjike që u shkruan dhe nisën të përdoren për qëllime politike në botën arabe pas rënies së Perandorisë Osmane në shekullin që lamë pas.

Kjo ideologji e fortifikuar dhe e aplikuar tashmë në disa gjenerata, është e mbështetur me literaturë në të gjithë botën nëpërmjet, për shembull, përkthimeve të Kur’anit në të gjitha gjuhët, pjesë e të cilave ishte dhe shqipja kur u shtypën shumë kopje në fundvitet e 80-ta.

Kjo do të thotë gjithashtu se Republika e Kosovës mund të jetë shteti i parë në Evropë që nisë reformat në ligjërimin fetar duke nisë nga literatura.

Nëse ligjërimi ideologjik po shton numrin e mercenarëve religjiozë edhe në Kosovë, atëherë beteja e parë e drejtpërdrejtë është zhveshja e gjuhës hyjnore nga ideologjizmat politike që mbështesin terroristët. E, kjo duhet të nisë me debate publike.

Një ligjërim i drejtë i Islamit nuk do të thotë vetëm paqe në Lindjen e Mesme, por paqe dhe për Perëndimin, madje edhe për Kosovën.

Exit mobile version