Letra e një nëne për doktorin që e këshilloi të abortonte, pasi vajza e saj kishte sindromën Down, po bën xhiron e botës në internet. Courtney Baker është një nënë kurajoze, e cila zgjodhi të sillte në jetë vajzën e saj Emersyn Faith, pavarësisht se e dinte që ajo ishte diagnostikuar me sindromën Down.
Tashmë që vogëlushja është 15 muajshe, nëna e re shkroi një letër prekëse, për t’i treguar doktorit të saj se ishte shumë e lumtur që nuk e kishte marrë parasysh këshillën e tij, për të mos e lindur vajzën.
“I dashur doktor. Kohët e fundit një shoqja ime më tregoi se mjeku i saj pasi kishte parë ekografinë i kishte thënë “Është perfekt”. Kur lindi, fëmija rezultoi me sindromën Down dhe shoqja ime shkoi për t’i kërkuar llogari mjekut, se përse nuk ia kishte thënë këtë më parë, por ai iu përgjigj: “Të thashë që ishte perfekt”. Sa do të kisha dashur që edhe ju të ishit sjellë me mua si doktori i shoqes sime.
Erdha tek ju në një periudhë shumë të vështirë të jetës sime. Isha e terrorizuar, në ankth dhe tërësisht e përhumbur. Nuk e dija ende të vërtetën për vajzën time, por në vend që të gjeja mbështetje e kurajo, ju më këshilluat ta abortoja fëmijën tim.
Unë ju tregova edhe emrin që doja ti vendosja, por ju më pyetët nëse ishim të sigurtë për ta sjellë këtë fëmijë në jetë, pasi jeta jonë do të ndryshonte tërësisht me një fëmijë me sindromën Down.
Pas vizitës së parë, patëm frikë të riktheheshim në klinikën tuaj. E bëtë të padurueshëm momentin më të vështirë të jetës sime, pasi nuk më thatë të vërtetën: Që vajza ime do të ishte perfekte.
Nuk jam e zemëruar, as e hidhëruar. Jam vetëm e trishtuar, sepse zemrat e vogla që pulsojnë, të cilat i shikoni çdo ditë, nuk ju bëjnë të reflektoni. Jam e trishtuar, sepse u futa në dyshime kur ju më thatë se një fëmijë me sindromën Down do të ulte cilësinë e jetës sonë. Më copëtohet zemra vetëm kur mendoj se të njëjtën gjë ia thoni nënave të tjera si unë.
Shiko doktor, Emersyn jo vetëm e pasuroi cilësinë e jetës sonë, por ka prekur edhe zemrat e mijëra personave. Ajo na ka sjellë një gëzim që është e pamundur ta shprehësh me fjalë. Ajo na ka dhuruar buzëqeshjet e puthjet më të ëmbla që kemi marrë ndonjëherë. Na hapi sytë për të parë bukurinë e vërtetë dhe dashurinë e pastër.
Lutem që asnjë nënë të mos e kalojë atë që kam përjetuar unë. Lutem që edhe ju të shikoni bukurinë dhe dashurinë e pastër në çdo ekografi që shikoni”, përfundon letra e Baker.