Site icon Telegrafi

Letra e vajzës, e përlot Blendi Fevziun: Është vështirë ta masësh dashurinë, por mbase të dua më shumë sesa më do ti mua

(Foto: Top Channel)

Përveç befasisë së bukur që i bëri minatorit, Blendi Fevziu mori edhe vet një befasi shumë të bukur në programin “Dua të të bëj të lumtur”, që erdhi në formën e një letre.

Kjo ishte letra e parë që Misheli i shkruante babait të saj, në të cilën i shprehte dashurinë dhe mirënjohjen. “Familja më e mirë në botë është e jona dhe kjo vetëm falë teje”, ishin fjalët me të cilat Misheli i drejtohej Blendit. Por, fjalia që e emocionoi dhe e përloti ishte “Të dua babi, ti je idhulli im”.

(Foto: Top Channel)

Siç transmeton Top Channel, ai tregoi edhe marrëdhënien e veçantë me vajzën dhe se ajo dëshironte që t’i merrte vetë vendimet dhe në këtë pjesë, Blendi ka rrëfyer se ata janë të ngjashëm. Ai ishte detyruar që në moshë të re t’i merrte vet vendimet për jetën e tij. Ashtu siç instinkti e kishte ndihmuar atë të merrte vendimet, po i njëjti instikt, sipas Blendit, do të udhëhiqte dhe vajzën e tij.

Në fund, Fevziu ka thënë: “Nuk ka rëndësi se sa njeri i fuqishëm dhe me pushtet ke qenë, nuk ka rëndësi nëse ke qenë një njeri i famshëm me një karrierë të arrirë. Mund të kesh bërë gjithçka, por nëse nuk ke rritur një fëmijë të mirë, dije se nuk ke bërë asgjë”.

(Foto: Top Channel)

Më poshtë do të mund të lexoni letrën e plotë të Mishel Fevziut, për babanë e saj:

Babi,

Unë nuk ta them ‘të dua shumë’ dhe zgjodha ta bëj në mënyrën më të bukur të mundshme, vendosa ta bëj publikisht pikërisht atëherë kur ti nuk e pret. Ti ke vendosur të surprizosh dikë, por me këtë rast, në një emision kushtuar familjes, mendova të të thosha se familja më e mirë në botë është e jona dhe kjo, falë teje.

Megjithëse jam pak e ngurtë dhe pak e ndrojtur, megjithëse nuk ta kam thënë me zë të lartë, megjithëse duket sikur jam krejt e ftohtë: dua të të them se të dua shumë, shumë, shumë. Është e vështirë ta masësh dashurinë, por mbase të dua më shumë se sa më do ti mua.

Mua nuk më pëlqen të prezantohem si vajza jote, po jo sepse kam turp prej teje. Përkundrazi, unë jam krenare për ty, jam krenare se të kam baba, jam krenare sa herë njerëzit flasin për ty, sa herë të referohen, sa herë të kanë shembull.

Por pikërisht për këtë, unë dua të rritem e të ec vetë, siç ke ecur ti vetë.

Nuk dua të më hapen rrugët se jam vajza e Fevziut, dua të të bëj krenar që je babai im. Nuk kam dashur kurrë të të zhgënjej ndaj matem mirë para çdo hapi që hedh, e nëse dukem sikur nuk e kam mendjen fare tek ti, dije, se thjesht po përpiqem të të ngjaj.

Të dua babi, Ti je idhulli im.

(Foto: Top Channel)

 

 

Exit mobile version