Site icon Telegrafi

Letra e Tucoviqit për fatin tragjik të shqiptarëve: Fiset e mjera arbanase po e bartin kryqin në Golgotë

Dimitrije Tucoviq

Mita përball Sllobës dhe vrasjes me paramendim të popullit shqiptar
Lexo po ashtu Mita përball Sllobës dhe vrasjes me paramendim të popullit shqiptar

Përktheu: Adem Nimani (Burimi i origjinalit: “Radniçke Novine” nr.223, 22 tetor 1913,; Dimitrije Tucoviq, Vepra të zgjedhura, Beograd 1980, lib. 7, fq. 160-164)

Shoku redaktor

Pikërisht këto ditë bëhet një vit qëkur fiset e mjera arbanase bartin kryqin në Golgotë.

Është ky vit i shfarosjes sistematike të popullatës arbanase në të gjitha tokat e tyre që i ka pushtuar Ushtria serbe. Për një vit është derdhur shumë gjak njeriu nëpër gryka malesh dhe në fushë-krimet e Ballkanit, sa është vështirë të përshkruhet.

Ajo që i jep vulë këtyre luftërave më barbare dhe më gjakpirëset të errësirës mesjetare në Ballkan, nuk janë lumenjtë e gjakut të njërës apo palës tjetër ndërluftuese, por kufoma të dekompozuara të njerëzve të paarmatosur, që nuk kanë marrë pjesë në luftën e popullit të paarmatosur, por janë fëmijë të pafajshëm, gra, punëtorë e bujq të atyre pjesëve të tokave që i quajnë “Stara Srbija”, “Arbania”, “Makedonia” dhe Trakia.

Faji i vetëm i arbanasëve të masakruar është pse i lutën Zotit në gjuhën e vet tjetër, që flasin gjuhë tjetër, kanë emra tjerë, dhe pse ata në shtëpitë dhe trojet e tyre shekullore me naivitet pritën hordhitë dhe falangat e egra të një ushtrie barbare.

Ato krime nuk janë vepër e individëve as e disponimit personal, por pjesë përbërëse e politikave “nacionale” të Ballkanit.

Ushtria serbe ka shfarosur shqiptarët në atë tokën të cilën e quan “Serbia e vjetër” dhe në Arbani, ndërsa Bullgaria ka shfarosur turqit në Traki e Greqia turqit dhe arnautët në Devoll e Çamëri.

Pas kthesës historike që ndodhi me shpërthimin e konfliktit mes aleatëve, nuk mori fund veprimi i sistemit të vjetër shoqëror, por vetëm ndryshuan emrat e njerëzve që do të theren: në vend të turqve dhe arnautëve pre e thikave bullgare u bën edhe vetë grekët e serbët, ndërsa e nga thika serbe pastaj u theren edhe bullgarët …

Kështu, popujt e Ballkanit u bashkuan në gjak.

Siç e shihni, shoku Redaktor, fati i fiseve arbanase nuk ishte krejt i vetmuar. Megjithatë, në një pikëpamje është i veçantë dhe është më i rëndë se fatkeqësia e popujve të tjerë. Në të vërtetë, fiset arbanase janë therë dhe kanë rënë për toke, pa asnjë mbrojtje, të themi ashtu pa asnjë zë për mbrojtjen e tyre dhe asnjë protestë për të mirën e tyre.

Zëri i proletariatit serb, zëri i partisë sonë, ishte i vetmi zë dhe e vetmja shenjë e zërit pjesëmarrës njerëzor në fatin tragjik të këtyre malësorëve të pafat arbanas, por as ky zë nuk arrti të depërtojë deri atje ku duhej.

Shtypi dhe diplomacia austriake e italiane, jo vetëm që nuk arritën atje ku duhet dhe të ndihmojnë diçka, por, për më tepër, kanë ndikuar në komprometimin e një proteste të drejtë në sytë e botës përparimtare, në mënyrë që dhe ajo drejtësi të bjerë në duart e përgjakura.

Arbanasit e vdekur binin të kositur në grumbuj. Britmat dhe gjëmimi nga dhembja e tyre, thuajse u barazuan me gjëmimin e topave. Në ajër fluturuan duar e këmbë, koka e pjesë të trupave të arnautëve. Kur përfundoi zjarri i artilerisë, vendi që ishte goditur, ishte mbuluar jo me kufoma, por me koka, duar e këmbë njerëzish të copëtuar, që dukeshin si grumbuj të ngjyrosur me të kuqe.

Për çdo vërejtje apo protestë, tek oficerët që komandonin, thuaja tek të gjithë me radhë mbretëronte një psikologji bandash të egra komitësh dhe jepnin të njëjtën përgjigje se kështu duhet t’ua bëjmë tradhtarëve.

Ne nuk e dimë se çfarë marrëveshje kishin pasur këta tanët me arnautët dhe përmes kujt kishin bërë marrëveshje?

Pa marr parasysh se çfarë mund të ketë qenë marrëveshja, ajo nuk mund të krahasohet më zëvendësimin e një robëria me robërinë tjetër. Robëruesit e rinj, që nga fillimi i operacioneve luftarake, nuk kursyen pa djeg, as edhe për një fije kashte të një pullazi shtëpie arbanasi dhe pa vrarë një arbanas, qoftë edhe foshnje prej disa muajsh.

Edhe po të ishte dikush tradhtar i marrëveshjes, ky nuk ishte arbanasi, por qeveria dhe ushtria serbe si organ i saj.

Edhe tash pas një viti, pas një vëzhgimi të gjatë nëpër vendbanimet e djegura, nga Ristovci deri në Lerinë dhe nga Durrësi deri në Careva Sela, nuk mund të harroj përshtypjen që ka lënë tek unë edhe qielli i skuqur mbi fshatin e parë që është djegur.

Në javët e para të luftës “me turqit”, nuk kemi fjetur asnjëherë duke hapur llogore dhe kemi lëvizur me dritën që na vinte nga shtëpitë e fshatrave që digjeshin. Zjarri i shtëpive të djegura ishte sinjali i vetëm me të cilin komunikonin njësitë e ushtrisë serbe dhe ashtu e kuptonin pozitën ku gjendej njëra e ku tjetra dhe deri ku kanë arritur

Popullatën arnaute që ka shpëtuar gjallë dhe ka ikë, ne e kemi ndjekur e shtyrë përpara dhe e kemi detyruar që të na kundërvihet me dëshpërimin e njeriut i cili sheh shtëpinë e vet duke u djegur dhe reziston me vendosmëri si në Bujanoc, e pastaj bashkohet e lufton si luanët përkrah ushtrisë turke në Kumanovë. Këtë barbari të kryer me urdhrin e qeverisë serbe dhe të komandës supreme të saj e ka paguar populli serb me jetën e shumë ushtarëve të vet.

Pas rënies së Kumanovës kanë mësyrë Shkupin, qytetin e mbushur me masën e pafund të arnautëve të përndjekur, të cilët ushtria serbe duke depërtuar nga veriu, i shtynte të kërkojnë shpëtim, por pjesa me e madhe e tyre gjeti vdekjen.

Ashtu sikur të ishte ngritur nga varri i mesjetës, ai despoti në Demir Kapi kënaqte veten krejt i dehur duke i hedhur kufomat e të arnautëve të vrarë me kokë teposhtë në lumin Vardar.

Çdo arnaut që jetonte në rripin e tokave në të ashtuquajturën Serbi e vjetër, nga Mitrovica deri në Vranjë është zhdukur nga faqja e dheut. Në ketë ekspeditë u dallua një njeri që tash ka zënë kolltuk në Kuvendin popullor të Serbisë.

Në Kosovë mbretëron qetësi varri, dhe vetëm aty këtu mund të dëgjohet ndonjë krismë e vetmuar pushke hakmarrëse e cila, siç pranon edhe një nga “naçallnikët” e rrethit, në këto vise askush nuk iu përmbajt taktikës së zgjedhur as udhëzimeve të organeve të pushtetit.

Për pushteti normal as që mund të flitet.

Ai pushtet kriminelesh nuk pushon se vepruar kundër arnautëve si dje si sot.

Shoku redaktor, ajo që ka bërë ai pushtet kundër arnautëve kalon çdo imagjinatë kriminale që është bërë kundër atij populli, vetëm në këtë vit. Posa ka lëvizur dikush i dyshimtë nga arnautet në drejtim të kufirit serb, komandantët kufitar e kanë masakruar. Popullata arnaute në Pejë, Gjakovë dhe Prizren jeton në psikozë të vdekjes ditë e natë. Ai që mbyll sytë për të fjetur nuk është i sigurt së do të zgjohet i gjallë në mëngjes.

Pikërisht koha e natës është zgjedhur për të kryer krimet më monstruoze ndaj njerëzve që i kanë marr nga shtrati dhe i kanë dërguar për t’i pushkatuar.

Nuk dëgjohet kurrfarë shushurime, e lere më krismë pushke. “Paqja” dhe “rendi” mbretërojnë kudo, ndërsa arnautët për çdo natë zhduken pa gjurmë, ashtu sikur t’i kishin shqyer hienat dhe çakallet e ardhur nga shpellat shkëmbor e t’i kenë nxjerrë këta njerëz të pafat nga shtëpitë e tyre, për t’i tubuar e dërguar pastaj në vendet e caktuara për t’i furë me litar. Kështu nuk do të bënin as hienat me gjahun e tyre. Kur kam kuptuar për këto “arritjet” e fundit të pushtetit ushtarak e civil serb në këto treva, kam menduar: vallë deri në këtë pikë ka arritur psikologjia e gjithë hierarkisë së pushtetit serb që nga ministri i parë e deri të xhandari i fundit, e ti Serbi ku do të shkosh me ta dhe kur do të ndalesh?

Në atë çast ka arritur lajmi për masakrën në Lumë, lajm i vërtetë, por që duket i pabesueshëm: megjithëse esenca e tij është e njëjtë, dhe e cila vështirë mund të dëgjohet deri në fund kur e tregon dikush, por edhe më e rëndë të përshkruhet për ta lexuar tjetri.

Shoku redaktor, Ju e dini se; “asnjë grua apo një fëmijë nuk është mbytur nga thika serbe apo lapsi; nuk është djegur asnjë shtëpi arnauti dhe mbi asnjë kokë arnauti nuk i ka rënë prushi në qafë nga kulmi i shtëpisë së tij duke u djegur”; nën retë e tymit të dendur nuk është dëgjuar asnjë vajë fëmije duke thithë gjirin e nënës së vdekur, por vikama e fundit është dëgjua nga këto krijesa monstrumesh, që në emër të zotit po i hapin humnerën pushtetit dhe po nxisin kryengritjen.

Por, në Lumë, me barbari të paparë, për më pak se dy orë është fshirë nga faja e dheut tërë një fshat, fshat pa njerëz, pa fshatarë, fshat në të cilin kishin mbetur vetëm gratë me fëmijë në ngryk, vajzat, të sëmurët dhe pleqtë e fëmijët e të gjitha moshave. Iu kanë thënë që le të rrinë lirisht në shtëpitë e tyre, deri kur arnautët të çarmatosen dhe të lirojnë ushtarët serb të zënë robër!

Pse nuk i këshillojnë kështu gratë e tyre që lirisht të rrinë në shtëpi?

Ato gra e nëna, duke ngritur lartë me duar fëmijët e tyre dhe duke dënesur, me zaman iu kanë lutur; aman komandar, çka kemi faj ne? A ju tregoni ju grave tuaja çka po bëni këtu?

Duke ua dorëzuar këtë letër, Ju shoku redaktor besoj se do të veproni në frymën e demokracisë socialiste dhe do ta vëni në pozitën e duhur qeverinë para opinionit publik; që ose ndaj atyre krimineleve të shpallet ndjekja ose të solidarizoheni hapur me ta.

Nëse vendosni për të parën, kjo do të jetë vetëm satisfaksion i dobët, por me gjithë atë do jetë njëfarë prehje për ndjenjat e vrara të çdo njeriu të civilizuar dhe një akt që ajo ia ka borxh për uljen e imazhit të popullit serb, por edhe si bazë që ndoshta ndonjëherë do të ndërpritet shfarosja sistematike e një populli të tërë.

Nëse qeveria përpiqet që të fshihet edhe pas kësaj akuze publike, atëherë pasojat për popullin serb do të jenë të mëdha. Do të vjen koha që do të serbët do të gjenden para Gjyqit të historisë dhe aty të japin përgjegjësi. Ato krime do të mbahen mend nga brezi në brez, ashtu si Nata e Bartolomeut, Mbrëmja siciliane, Kishnjeva etj., ashtu siç do të mbahet mend Demir Hisar dhe Doksat. /Telegrafi/

 

Exit mobile version