Site icon Telegrafi

Letra e Janevës anulon publikimin e “bombave” për rastin “Monstra”

Letra e prokurores speciale në dorëheqje, Katica Janeva, me të cilën kërkon që të gjitha lëndët e PSP-së të dorëzohen në Prokurorinë Republikane, ishte arsye për anulimin e seancës për rastin “Monstra” dhe mosdëgjimin e bisedave të përgjuara të paralajmëruara më herët.

Avokatët mbrojtës mbështesin vendimin e trupit gjykues, por theksojnë se do të kërkojnë publikimin e të gjitha bisedave dhe dëshmive pa asnjë përjashtim.

Thonë se kur nuk dihet se çfarë do të ndodhë me lëndët e PSP-së, nuk është e përshtatshme të fillohet me bisedat e përgjuara marrë parasysh numrin e madh të “bombave” për rastin “Monstra”.

Avokati Raufi megjithatë sqaron se dorëzimi i lëndëve nga një prokurori në tjetrën nuk nënkupton fillim të procedurës nga e para, por vetëm vazhdimin e saj.

“Ka një sasi shumë të madhe të dëshmive, por ne insistuam që të gjithë të akuzuarit të jenë prezentë, përveç atyre që i ka selektuar PSP, por ne insistojmë që të gjitha që janë dorëzuar te trupi gjyqësor të realizohen. Për ne nuk ndryshon asgjë se jemi të sigurtë se këta të akuzuar nuk janë fajtorë, por mendoj se do të ndërrohet vetëm emri i prokurorisë, kurse prokurorë do të mbetën këto dy që kanë qenë në këtë rast”, tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Trupi gjykues sqaron ndërkohë se prokurorët specialë, Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski, mbeten kompetentë për këtë deri sa nuk ka ndonjë vendim për ndërrimin e tyre. Vazhdimi i lëndës nga Fetai dhe Bubevski, si përfaqësues të akuzës, mbështet edhe familjarët e palës së dëmtuar. Seanca e radhës është caktuar për më 18 shtator.

Exit mobile version