Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla e ka cilësuar si gabim kardinal letrën e ministres Donika Gërvalla, dërguar Këshillit të Evropës ku thotë se Kosova është duke punuar në një draft-statut të Asociacionit i cili do të dërgohet në Kushtetuese.
Haradinaj-Stublla ka thënë se kjo tregon joseriozitet dhe thellon mobesimin e shteteve aleate.
“Gabim kardinal – dërgimi i letrës në KiE në momentet e fundit para votimit – me njoftimin se Kosova po përgatit një draft të saj të Asociacionit për ta dërguar në Kushtetuese!
1. Tregon joseriozitet në përcaktimin se Kosova nuk mund të defunksionalizohet me Asociacion;
2. Thellon mosbesimin e shteteve aleate për bashkëveprim ndërkombëtar me Kosovën;
3. I hapë rrugë kushtëzimit edhe më të rëndë të Kosovës nga Serbia”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert.
I njëjti draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji. /Telegrafi/