Në një letër drejtuar Kongresit amerikan, ku raporton mbi rolin e zyrës së kryeprokurorit shqiptar, Reformën në Drejtësi dhe rolin e Ambasadorit Donald Lu në Tiranë, kryeprokurori Llalla ka zbuluar edhe emrin e zyrtarit të lartë që Shtetet e Bashkuara, përmes përfaqësuesit diplomatik të tyre në Tiranë, kishin kërkuar të arrestohej për korrupsion.
Edhe pse e kishte pranuar edhe publikisht se Lu, gjatë një takimi privat në zyrën e tij, i kishte kërkuar arrestimin e një politikani të rëndësishëm, ai asnjëherë nuk e ka thënë emrin e politikanit, gjë të cilën e ka bërë për Kongresin amerikan, kur i është kërkuar informacion në lidhje me ndikimin e George Soros në Shqipëri.
“Në një mënyrë jodiplomatike dhe kundër normave të Konventës së Vjenës, Ambasadori Lu më ka sugjeruar se duhej të arrestoja kreun e Parlamentit, njëkohësisht kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta”, shkruhet në faqen e gjashtë të raportit 18-faqësh”, ka theksuar ai.
Në vlerësimin e Donald Lu, kreu i parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.
“Arrestimi i tij – siç shkruan Llalla, – do të ndihmonte (sipas pikëpamjes së Lu) në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Por, Llalla thekson se një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e kishte detyruar atë të ndërpriste takimin, teksa i kishte shpjeguar ambasadorit amerikan se arrestimi i një personi, përfshi një zyrtar të lartë, bëhet vetëm mbi bazën e provave. /top chanel/