Nga: Daut Dauti
Fjalimet e para antiserbe i kam dëgjuar nga gruaja e një të afërmit tim. Gruaja e tij ka qenë boshnjake e Vishegradit. Mosha ime e fëmijërisë nuk ma lejonte ta shihja dallimin mes boshnjakëve dhe serbëve, për shkak se e flisnin të njëjtën gjuhë. Vishegradasja për mua ka qenë konfuzioni – i parë – që s’i gjeja dot zgjidhje. Kjo për shkak se të gjithë që nuk flitnin shqip më dukeshin njësoj. Është sikur disa ‘njerëz’ sot të thonë se të gjithë myslimanët janë turko-arabë. Sidoqoftë, arsyen e hidhërimit dhe urrejtjes së boshnjakes që kishte për shtetin jugosllav dhe për serbët, do ta merrja vesh më vonë. Në mënyrë indirekte arsyet janë dhënë edhe në këta dy librat që do të flas në vazhdim.
Mesha Selimoviqi dhe Ivo Andriqi janë shkrimtarë të kalibrit të madh, pa asnjë dyshim. Kështu do të konkludonim nëse bazohemi vetëm në shkrimet e tyre, duke ua injoruar qëndrimet njerëzore. Por, edhe si shkrimtarë nuk janë aq të mëdhenj siç na paraqiten, sidomos Andriqi. Kritikat e recensioneve letrare në anglisht, për këto dy vepra, kryesisht përqendrohet në aftësitë e këtyre dy shkrimtarëve për të treguar strukturën shtetërore, politike dhe shoqërore të sistemit otoman dhe të jetës së njerëzve në këtë strukturë. Edhe ky vlerësim është subjektiv, për shkak se kritiku anglo-sakson nuk ka njohuri për atë se si ka qenë jeta në një vend nën sundimin otoman. Por, kritikut i pëlqen mënyra se si këta dy e kanë perceptuar këtë temë.
Në fakt, mënyrën se si ka qenë saktësisht organizimi politik otoman në Bosnjë, nuk e kanë përjetuar as Andriqi e as Selimoviqi ,për shkak se të këta kanë lindur kur ky vend ishte nën administrim austro-hungarez. Por, ajo që mund të thuhet është se e kanë njohur mirë trashëgiminë otomane në të cilën janë rritur, dhe historinë që e kanë mësuar në shkollë. Për kohën kur është botuar ‘Ura mbi Drinë’, ndoshta në Perëndim ka qenë roman revolucionar, por sot, edhe romani më mesatar i Orhan Pamukut është i nivelit më të lartë.
Në realitet, Mesha Selimoviqi është shkrimtar më i mirë se Ivo Andriqi. Romani i tij ‘Dervishi dhe vdekja’ është vepër me kualitete të larta. Ky roman në fakt është biografia e tij, e cila në një mënyrë vazhdon edhe te ‘Kështjella’. Mesha ishte partizan dhe komunist, së bashku me vëllain që ia pushkatuan partizanët pasi e akuzuan për vjedhje. Meqë Meša nuk guxoi ta kritikonte këtë rast nga sistemi komunist, e vendosi ngjarjen në kohën otomane. Pra, regjimi represiv otoman është ai socialist jugosllav. Te ‘Kështjella’, Mesha na bënë me dije se si njeriu i izoluar i jep vetes zor ta shpërthejë rrethimin shoqëror që e mban të mbyllur.
Mesha Selimoviq vinte nga një familje e pasur boshnjake me tradita myslimane. Por, nuk ndjehej mirë me të qenit boshnjak mysliman dhe e ‘zbuloi’ se dikur moti të parët e tij kishin qenë serbë. Rrethi i intelektualëve në Sarajevë ia pa për të madhe këtë ‘zbulim’ dhe i thanë se ‘ne të gjithë e dimë këtë dhe nuk ke zbuluar asgjë’. Megjithatë, ai dëshironte të ishte serb dhe shkoi për të jetuar në Beograd ku hapësira e shkrimtarit serb është tejet e gjerë. Asgjë të keqe në shikim të parë. Por, bëri me dije se nuk ia vlen të jesh mysliman në Jugosllavi. Intelektualët boshnjakë këtë gjë e morën si dorëzim para presionit pansllav që vinte nga Serbia. Pra, porosia e Meshës për boshnjakët nuk ishte vetëm shprehje dëshpërimi, por edhe paralajmërim se gjërat do të vështirësoheshin për ata që nuk janë serbë.
Njësoj veproi Ivo Andriqi. Ai vinte nga një familje kroate, por veten e deklaroi serb. Në ‘Urën mbi Drinë’ të Andriqit, banorët myslimanë të Vishegradit janë turq. Pra, kanë qenë serbë, por tashti që bëhen myslimanë e ndërrojnë etnicitetin. Në psikikën serbe është ngulitur thellë urrejtja për serbin e konvertuar në mysliman saqë ai më nuk ka qenë serb sepse është bërë turk. Ky absurd i Andriqit krijon ndarje mbi të cilën ngritet urrejtja e cila kërkon gjakderdhje. Gjërat në Vishegrad, sipas tij, janë kryesisht në rregull gjatë sundimit otoman. Por, sistemi është represiv dhe i egër sipas tij; sistemi i cili e ndërtoi urën më 1577 nga veziri i asaj ane (Mehmet Pasha Sokollu) me ç’rast u ndërtua qyteti dhe përparoi rajoni. Ura ekziston edhe sot dhe është ndër vepër e rrallë e ndërtimit.
Porosia e Andriqit në këtë roman thotë se myslimanët janë turq dhe nga kjo janë edhe të huaj. E, dihet se çka duhet të bëhet me të huajt. Porosia e tij do të shkonte në vend dy herë. Edhe Andriqi si çdo konvertit dëshiron që të tregohet i zellshëm në mesin e ri të cilit i bashkohet, që të mos ketë dyshime se nuk është bërë tamam serb. Para se ta shkruante këtë roman, Andriqi kishte hartuar edhe një plan për përzënien e shqiptarëve nga Jugosllavia dhe zhbërjen e Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë e shkroi romanin në fjalë kur në të njëjtën kohë u dërgonte letra përshëndetëse çetnikëve serbë që e masakronin Bosnjën.
Andriqit nuk i pengoi kur italianët u ndihmuan çetnikëve që të vrisnin mijëra myslimanë dhe ta digjnin Vishegradin së bashku me 42 fshatra tjera myslimane përreth. Derisa Andriqi e shkruante këtë vepër, serbët në Vishegrad ushtruan dy herë masakra. Dhe, më në fund porosia e Andriqit është përmbushur në luftën e fundit në Bosnjë. Në vitin 1992, policia dhe ushtria e serbëve, në Vishegrad vranë më shumë se 3000 boshnjakë, dhunuan mijëra gra dhe e dogjën qytetin me rrethinë. Banorët myslimanë, që deri në këtë kohë përbënin 63 për qind të popullatës së Vishegradit, u përzunë në atë masë sa që sot përqindja e tyre është me siguri zero.
Kjo ka qenë porosia e Andriqit për Vishegradin. E kishte të njëjtën porosi edhe për shqiptarët, por ja që nuk iu realizua. Mirëpo, pyetja që duhet të parashtrohet në këtë rast është ajo e vjetra: a duhet të ndahet personaliteti i shkrimtarit nga vepra e tij? Në intervistat e tyre, që të dy, Selimoviqi dhe Andriqi deklarojnë se këto janë dy gjëra të ndryshme dhe nuk shkojnë së bashku. Në këtë rast duhet ta përjashtojmë Selimoviqin nga përgjegjësia, por Andriqi ka qenë kriminel pa asnjë dyshim. A mundet krimineli të jetë shkrimtar i madh? /Telegrafi/