Site icon Telegrafi

Letër e rrallë e Gjergj Fishtës, për jetën, krijimtarinë dhe Kanunin

Zbulohet një letër e rrallë e At Gjergj Fishtës e butuar në “Hyllin e Dritës” nr. 1/2018. Në këtë letër të bërë publike nga Biblioteka Françeskane, Fishta jep të dhëna interesante interesante rreth krijimtarisë së tij, botimit të Kanunit italisht, dhe disa detaje rreth jetës së tij personale. Letra është si më poshtë:

Livorno,

Fort i Nderti e i dashtuni Provinçjal!

Letra e jote – me 10 të k.m – më ká ngushllue fort, si pse âsht mâ e para mbas tre muejsh heshtimi, si edhè fort e mâ fort per dý mrekullít e Shna Ndout qi m’i lajmon në ket leter.

Per punë t’lterit të Shna Ndout jam tue i shkrue sod P. […], prandej ktû s’po të shkruej gjâ të posaçme mbi të.

Në të mbyllun t’Akademís së Sienës shkova vetë atje, me vertetue me sŷ të mí perparimin e P. Leonit në Pikturë mundem me të thânë, se n’at ród pikture qi ndiekë aj âsht sugurisht mâ i pari i klasës së vet. Si Drejtori i Akademís si Profesori i tij e kan levdue per cenë e perparim. Edhè un vetë jam konden me tê. Ktû po të qes dý fotografí punimesh së tija e të shenjueme me siglat A e B. Fotografija A) paraqet nji të katert të tavanit. Leoni ká pikturue në nji odë t’Akademís. Si ravizimi si ekzekutimi me bojna janë fort me vend. Në fotografín B) janë të rreshtueme punimet, qi krye rrokul vjetit n’Akademí. Drasëzat njyrje murrtë jane pûnue “a fresco” ndersa ato të bardhat me “carbonçino”.

Ajo e mjedismja – “Maternità” âsht punimi bâ per provimin e mbramë të vjetit shkolluer, e âsht sugurish mâ e bukra nder të gjitha punime të ktij subjekti paraqitë nder sprovime – Ndoshta, në mos […] “creatare”, ká me dalë sugurisht nji ekzekutore i mirë. Ky ká kryè sivjet të tretin kurs akademik e do të rrijë edhè dý vjet në Sienë, per me krye plotsisht kursin akademik t’asajë Shkolle e me marrë diplomen per piktor. Un jam mendimit me e lânë me vijue, mos tjeter, edhè per dý vjet Pikturen – Mjerisht âsht i mberthyem teper me sherbime të Kuvendit.

P. Agustini ká dhânë trí sprovime n’Univerzitet, e të katertin gjûhen tedeshke – në Tetuer – Nder trí sprovimet e bame, per dý ka marrë noten mâ të nalten: “30 con lode”, e per të tretin 24 – italisht.

Edhè do Freten të rí, qi ndjekin Univerzitetin, e levdojnë fort per kah zotsija në kndime.

Si P. Agostini si P. Leoni kishin me dashtë me ardhë në Shqypní kah gjysma e Shtatorit. P. Leonit kishte me i u dashtë me shkue në Venezia, per me pá ekspozicjonin e Pikturës; e atŷ kishte me u bâ me P. Agostinin e të dy bashkë, me vaporr me ardhë në Shqypní. Prandej, të lutem me i a xjerrë Leonit obedjencen per Venezia e – po s’pate ti gjâ kundra – të dyve vetë per Shqypní. Sa per ridukcjon shpenzimesh në vaporr, tash po interesohem vetë – E meritojnë.

Sa per punë të botimit të libravet të mí fjalët i kam të mira; palè si do të më dale puna. Me pasë per t’i botue ktu n’Italí m’nji leter gati si ajo e Kanunit, librit kishte me i rá per copë, me gjith trasport, Lit. 5.00. Të 7 blêjt, kund 300 faqesh, kishin me u botue mbrenda 7 muejve. Po u bâ puna me i botue, na bjen fort mirë me i botue ktu n’Italí – Kaq kishte me bâ lkura; por âsht halli se harusha […] n’mal…

P. Pali më shkruen, se perkthimin e Kanunit mendon me e bâ në bashkpunim me Toçin. Bâni si të dueni, por un nuk jam i ktij mendimi. Perkthimi i Kanunit kà randsí të madhe, e nuk shof arsyen pse t’a perziejm Toçin në ket çashtje. Sugurish, pak me thânë, nji mij bibljoteka t’Europës kishin me e blé, posë atyne t’Amerikës, të Japanit etr. Në mos dashtë me e perkthye P. Pali shkruej P. Bazilit, pse sugurisht aj e perkthen tash (vakancash?) me nihmen e P. Marinit e të Donatit. S’âsht çashtja me i bâ komente Kanunit: çashtja âsht, me perkthye tekstin ashtu si âsht. Flitet per terme teknike e legale: aq sa ká dijtë P. Shtjefní – dritë pasët! – në kso termesh, i din secilli nesh – un do t’a dergoj nji listë bibljotekash, qi sugurisht kishin me e blé Kanunin.

Më fal se s’po m’epet me shkue mâ gjatë me ket leter: më ká kcye damari me i a hî njâjë kange të Lahutës sande, e s’kam si vijoj mâ gjatë. Por jo, prit; se kam edhè nji fjalë.

Kam kenë dý here në Postico, e të dyja herët kam ndêjë per nji ditë. Doga âsht shndosh e fort konden. Me P. Martinin kam bâ qi me i u njoftë per kohë ligjore të Probandatit muejt qi kà kalûe në Bari; e kshtu ká me u veshë Munëgeshë në muej të Gushtit. Madre Maggiore e don fort e ká urdhmue – posë ushqimit me shoqe tjera – me i dhânë kolacjon posaçem në 10 paradite e merendë në 4 mbasdite. Mâ teper, per mos me e lânë me bâ […] kuvendi, e kam qitë si nji farë sekretarjet, me shkrue s’dij se shka…. per Munëgesha. Më ká thânë me i gjetë fuguret pomendojse të veshunit të sajë e me i a bâ gati epigrafen si edhè me i gjetë êmnin e rí rregulltar. I kam shkrue edhè Vitores se âsht shndosh e konden e se Murëgeshat kan kujdes të posaçem per tê; veç se nuk i kam shkrue gjâ se veshet në Gusht. Kan me i shkrue Munëgeshat vetë. Në ftyrë âsht fort mâ mirë se në Shkoder, e âsht fort konden si të thoshe – Nji ditë e kishin qitë me lypë, pse kishte kerkue vetë me dalë e jo pse e kam detŷrue. Munëgeshat kan me më thirrë per vesticjon të sajë, edhè un do t’u shkoj – I kam premtue Dogës, se do të perkthej per tê n’at rasë të dytin liber të Kempis – Kam uzdajë në Zotin se Doga ká me bâ buona riuscita.

Kallxoja edhè Madres kto sende; pse ajo âsht e mêçme e e don Dogen. Madres vetë kam me i shkrue, kur Doga të vêshet Munëgeshë. Kish të mendojshin të gjitha si Madrja në ket punë! Pse do të flitej pak e do të ndihej edhè mâ pak! Sa per fjalë mjaft ká të motrat e veta. Vokacjoni i cilles Munëgeshë shqyptare kâ kênë vû mâ fort gjatë në provë se vokacjoni i ksajë mâ se prej shpijet, kû ká pasë nji mij të mira, mbas dymbdhetë vjet kundershtimesh ká hikë e âsht ndry në Kuvend! Nuk âsht mirë me shartue zi e me bâ profecija jashta vendit. Edhè Ruth e Bersabé njifen në genaologi të Krishtit. Mâ shêjt e mâ Shejtneshë se Krishti s’âsht kush i gjallë. Nejse…

Si të thashë, kam fillue nji kangë, qi shpresoj se ká me mbetë nder mâ të bukura të Lahutës. Dér m’sod kam shkrue ktu n’Italí kater kangë të Lahutës; nji Cantico drammatico mâ se dý mij vjerrshash; nji Konferencë mbí Provincjen t’onë e nji satirë mjaft të gjatë. E pra Doktori më ká pasë urdhnue kater muej pushim menduer, posë trazimesh të mdhá qi më qesin letrat shum herë të papuna. I falem nderës Zotit, qi ké kthye në Shkodër ti!

M’i thuej P. Palit se kilja e duhanit s’më ká rá në dorë. Me Postë nuk kam qef me më dergue kurrgjâ duhan. Jam ngusht por s’kam shka bâj. Nuk ká hije per mue me m’u gjetë gjâ kontrabandë.

Por, se të m’a dergoj Fr. Ndou nji shishe rakí – të gjymtueme, merr vesht – kishte me m’u bâ qefi; mjaft qi të jét aso s’mêret. Më ká marrë malli per nji pike rakí Gjûhadolit!

Fal me shndet P. Antonit, P. Pashkos, P. Palit, Martinit, Frano Kirit, P. Jakut, P. Paulinit, Sebastjanit, Antoninit, Fr. Ndout, Ndoc Lisnes e Shtyshkrojsve, Zef Prendushit, Ndocit, Nanës s’ate etr. etr. etr. Kam me të shkrue per së shpejti.

Mâ bash naten e mire, e kjo leter të gjetët shndosh!

Gj. Fishta

M’byten mushkajat, eh i marroftë Zoti!

Adresen po t’a shkruej italisht,
pse ndryshe m’recapis Posta shkruen:
Fort i Nderti, e kurrgjâ tjeter.

Exit mobile version