(Frenoni vdekjen e paralajmëruar hapësinore dhe urbanistike të vendbanimeve tona)
As që kam besuar së prapë do të shkruaj shkrime kritike për këtë temë esenciale për një shoqëri, por realiteti i ynë po e kërkon ri-përsëritjen e tyre. Jam i vetëdijshëm së me ligje nuk mundet një shoqëri më krijua arkitekturë dhe urbanizëm por së paku duhet filluar me trasuar rrugën e drejtë e cila do ti ketë efektet pozitive në të ardhmen, duke i respektuar normat dhe standardet e planifikimit, gjegjësisht ligjet në fuqi.
Më duhet ti theksoi disa fakte evidente që i përkasin realitetit tonë:
• Kuvendet komunale, krye-shefat ekzekutivë me bordin e drejtorëve të formuara pas zgjedhjeve 2009 duhet të ndërtojnë institucione me mentalitet progresiv, me vizion dhe instrumente të qarta në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Urbanistikës.
• Ekonomia e tregut, prona private dhe procesi i decentralizimit, janë sfida të mëdha në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik. Ky trekëndësh magjik konsiderohet si gurë themel i një shoqërie te hapur demokratike. Një tezë të tillë të propozuar nga ana ime ishte përkrahur dhe mirëpritur nga pjesëmarrësit në një konferencë ndërkombëtare, në maj 2004 e mbajtur për problemet hapësinore dhe urbane, e te ne kjo nuk vlerësohet.
• Në procesin e përpilimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe urbanistik, interesi i përbashkët publik duhet te mbrohet duke respektuar te drejtat e njeriut çka nuk ka ngjarë deri me tani në Kosovë. Ajo çka ka ngjarë dhe ende është duke vazhduar, nuk mundet të shpjegohet ndryshe pos me vdekje të paralajmëruar hapësinore-urbanistike të vendbanimeve tona.
• Në vitet e fundit janë ndërtuar spontanisht me “inercion” shumë qendra të reja të banuara, ndërtime dhe mbindërtime pa pasur planifikim të duhur urban dhe shërbime më minimale. E për anën e formësimit arkitektonik as që është menduar ndonjëherë.
• Trafiku në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës e posaçërisht në Prishtinë është bërë shumë i vështirë, gati i pa mundur, ajri është nga më të ndoturit në rajon. Kjo situatë do të vërehet shumë shpejt në aspektin social, ekonomik dhe shëndetësor tek banorët e këtyre hapësirave.
• Kaptinë e veçantë janë ndërtimet pa leje të cilët janë shkaktuar:
× Nga mos-veprimet e vendimmarrësve për të siguruar zbatim te përgjegjësisë dhe ligjshmërisë.
× Nga kërkesa e madhe për strehim, për një jetë ma të mirë që lindën pas vitit 1999, posaçërisht në qytetet kryesore, me theks të veçantë në kryeqytetin e Kosovës.
× Nga të menduarit e gabuar të disa çarqeve të caktuara të shoqërisë kosovare,që profesionistëve dhe ekspertëve të shumtë kosovar të urbanizmit, me qëllim nuk iu dha mundësia për të treguar aftësitë e tyre profesionale.
• Aktualisht, asnjë institucion shtetëror nuk siguron mundësi praktike për strehim me çmime të ulëta, apo qoftë edhe troje me infrastrukturë dhe shërbime bazë ku qytetarët mund të investojnë sipas mundësive të tyre për qëllime strehimi.
• Gjithçka i është lënë spontanitetit,të një tregu privat tërësisht të parregulluar e monopolizuar, me premisa “mafioze”, me çmime shumë të larta për të pasur mundësi me paguar për strehim pasi shteti aktual nuk ka ofruar diçka konkrete. E vetmja mundësi e mbetur për ata duket se është kyçja në rregullat e lojës të cilat janë shumë të dis-favorshme për ata.
• Premtimet e mundshme për legalizimi masiv te lagjeve me ndërtime pa leje duhet të jenë të bazuara ligjërisht,duke respektuar normat dhe standardet në fushën e urbanistikës. Nëse nuk veprohet kështu kjo do t’i jepte një grusht shpresës se një ditë këto probleme do të mund të zgjidhen edhe këtu. Kemi disa tentime sporadike të disa komunave por kjo nuk mjafton.
Duhet vepruar urgjent pasi mendoi se është domosdoshmëri të iniciohet një reformë e menjëhershme dhe e plotë e institucioneve politikë-bërës, shkencore dhe akademike që lidhen me ketë fushë,e për këtë sugjeroi që:
• Problemet pronësore,qe disa komuna i theksojnë, nuk kanë bazë të qëndrueshme. AKM e kaluar as AKP e tanishme nuk kanë pasur as qe sot kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështjet pronësore të definuar me plane hapësinor dhe urbanistike. Është kjo vetëm një “arsye” e disa komunave për të kamuflua veprimet e tyre korruptuese që një dekadë.
• Të ndërpriten, të kuptuarit të pronës si diçka e huaj, mosveprimet e pa kuptueshme, të respektohen interesat e përbashkëta të cilat sot fare nuk përfillën. Kërkohen veprime konkrete për të ndaluar këtë anarki ndaj hapësirës së përbashkët e cila nuk është privilegje e rezervuar e askujt edhe se në princip planifikimi hapësinor dhe urban duhet të jetë i pavarur por i ndërlidhur me politikën aktuale.
• Të bëhet kompensimi realist i pronave që do të shpronësohen (eksproprijohen) me çmime të ekonomisë së tregut.
• T’i jepet fund mënyrës së decentralizimit, që tentohet të zbatohet në Kosovë ne sferën e planifikimit hapësinor-urbanistik në tërë territorin e saj, (rasti i Sllovenisë me 196 komuna).
• Të analizohen sa me parë arsyet pse shumë dokumente të planifikimit hapësinor-urbanistik të hartuara gjate këtyre viteve në Kosovë,edhe me asistencën e komunitetit ndërkombëtar, janë injoruar, harruar, bllokuar dhe nuk kanë filluar me u zbatuar si dhe të sqarohen shkaqet e veprimeve të tilla.
• Të kuptohet se vetëm me punë vetjake,mundemi me qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha proceset e zhvillimeve hapësinore në Kosovë dhe në relacione ndërkombëtare.
Zotërinj vendimmarrës dhe politikë-bërës,
Planifikimi hapësinor dhe urbanistik ka të bëjë mbi të gjitha me njeriun dhe me plotësimin e nevojave te tij. Vetëm kjo mënyrë e qëndrueshme do të na shpëtojë nga rreziku i ndarjeve sociale dhe konflikteve, dhe do të integroje më mirë me njëra tjetrën dy botët që po formohen në mënyrë alarmante në shoqërinë tonë.
Trajtimi i hapësirës së komunave tona në vitet e fundit ka qenë skandaloze. Ndaluni një herë dhe shikoni gjendjen aktuale në tërë territorin e Kosovës ku është krijuar një anarki hapësinore dhe urban-rurale pasi elementi i përgjegjësisë, për veprimet e bëra, nuk sanksionohet.
Efektet sot janë minimale,si në të gjitha fushat e jetës në Kosovë, por më mban optimizmi dhe shpresa që gjeneratat e reja të planerëve, urbanistëve dhe arkitektëve do të kthjellën dhe do ti lëvizin gjërat, e për hapa të tillë duhet ta kenë përkrahjen dhe ndihmën e të gjithë atyre profesionistëve që nuk devijuan për interesa të mjera personale apo partiake, e të tillë ka shumë në Kosovë.
Personalisht i bindem gjykimit të historisë që do të na bëjë, e të tjerët … ?
(Autori është arkitekt i pavarur. Ish-zyrtar i lartë në MMPH në Departamentin e Planifikimit Hapësinor – udhëheqës i Divizionit të hulumtimeve)