Shoqata “Familja dhe Shpresa”, ia ka drejtuar një letër publike partive kryesore në vend, duke kërkuar që mos të harrohen krimet e Serbisë, por të plotësojnë kërkesën e kësaj shoqate për drejtësi duke e plotësuar Ligjin për Gjykatën Speciale.
Në letrën e kësaj shoqate, e cila kohë më parë ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, i kërkohet PDK, LDK, VV, AAK, NISMA, AKR e Alternativa që ta plotësojnë ligjin në mënyrë që të hapet rruga për ndëshkimin e Serbi për krimet e luftës.
Po ua sjellim të plotë letrën e kësaj shoqate:
I “harruat” krimet e Serbisë dhe kërkesën për plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale
Fushatën e zgjedhjeve e keni stërmbushur përtej kupe me lloj-lloj premtimesh tuaja se do të bëni mrekulli për jetën e qytetarëve dhe për Kosovën. Gati gjithçka që mund të pjellë mendja e juaj “kreative” është bërë “prioritet”.
Por, në mendjet tona, të neve familjarëve të viktimave të luftës, janë gjithnjë me të dashurit tanë të cilët nuk janë më në mesin tonë, e të cilët na i vrau regjimi i Serbisë.
Është për t’u habitur por edhe e pa arsyeshme se pse dështuat deri më tash që të plotësoni ligjin për Gjykatën Speciale për të gjykuar edhe Serbinë dhe kriminelët e saj për krimet e luftës në Kosovë, edhe përkundër shumë thirrjeve tona drejtuar jush që nga viti i kaluar.
Është për t’u habitur po edhe e pa arsyeshme se si nga lista e premtimeve tuaja të numërta për qytetarët e Kosovës ju e keni harruar drejtësinë e munguar për afro 13000 viktima të luftës.
Përkundër kësaj, ne vazhdojmë që të kërkojmë nga ju që të plotësoni kërkesën tonë të shenjtë për drejtësi duke e plotësuar ligjin për Gjykatën Speciale.
“Partitë politike shqiptare të Kosovës duhet që të këndellen dhe parlamenti i ardhshëm i Kosovës duhet që të plotësojë këtë ligj gjysmak. Kriminelët e Serbisë dhe shteti Serb duhet dërguar para drejtësisë atje në Gjykatën Speciale për Kosovën. Ky plotësim i këtij ligjit duhet të jetë në krye të listës së premtimeve të krejt partive dhe ai duhet bërë realitet nga parlamenti i Kosovës menjëherë pasi që të formohet pas zgjedhjeve të 11 Qershorit. Asnjë premtim tjetër nuk ka rëndësi më të madhe për ne sesa plotësimi i këtij ligji. ne duam drejtësi për krimet e Serbisë ndaj më të dashurve tanë dhe kjo drejtësi është në duartë e krejt partive shqiptare në Kosovë dhe askujt tjetër”, tha përfaqësuesja e shoqatës “Familja dhe Shpresa”, Zana Bytyqi-Geci.
Serbia dhe regjimi i saj duhet që të japin llogari për krimet e luftës në Kosovë dhe kjo drejtësi duhet që të filloi të bëhet realitet nga vet Kosova, nga vet ju parti politike, nga vet parlamenti i ardhshëm i Kosovës.
Prandaj PDK, LDK, VV, AAK, NISMA, AKR e Alternativa: Plotësojeni ligjin dhe hapni rrugë për ta ndëshkuar Serbinë për krimet e luftës.
Kjo është kërkesa e jonë E MADHE dhe NUMËR NJË ndaj jush dhe do të jetë e tillë deri sa ju të plotësoni këtë ligj i cili në formën e tashme gjysmake nuk është gjë tjetër pos poshtërues ndaj nesh dhe ndaj krejt Kosovës.