Procedura e verifikimit apo diferencim ideologjik?!
I nderuari zoti Gjeneral Selimi,
Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i janë drejtuar pjesëtarë të FSK-së të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës me një vendim të cilin e keni nënshkruar Ju. Kjo ndërprerje e njëanshme e kontratës së punës apo siç shkruan Ndërprerje e Punësimit !!!! ( term i paqëndrueshëm logjikisht dhe juridikisht) është nënshkruar nga Ju me datën 03.02.2010 për të gjithë pjesëtarët e FSK-së që pastaj i keni hudhur në rrugë. Paraprakisht të gjithë pjesëtarët e FSK-së e kanë nënshkruar një kontratë punësimi në kohëzgjatje 3 vjeçare. Me një fjalë, këtë kontratë punësimi e kanë nënshkruar më 21 janar 2009.
Në nenin 1 të kësaj Kontrate shkruan: “Punësimi fillon nga 21 janari 2009 kur pjesëtari rekrutohet kushtimisht në FSK dhe përfundon me 20 janar 2012. Rekrutimi i pjesëtarit në FSK konfirmohet pas përfundimit të suksesshëm të stërvitjes bazë dhe PROCEDURЁS SЁ VERIFIKIMIT. Punësimi ndërpritet nëse ky kusht nuk plotësohet.
Në vendimin për Ndërprerje të Punësimit ndër të tjera shkruan: “Një prej kushteve për konfirmimin e rekrutimit tuaj ishte edhe përfundimi i suksesshëm i procedurës së verifikimit. Në ndërkohë kemi pranuar Njoftimin të datës 03.02.2010, i cili na informoi se juve ju është refuzuar certifikata e verifikimit (me shkronja të theksuara).
Në mungesë të suksesit në përfundimin e procesit të verifikimit, shërbimi juaj në FSK do të ndërpritet dhe ju do të largoheni ( shkarkoheni) nga FSK-ja…”
I nderuari Gjeneral Selimi,
Sipas KMDLNJ-së, vendimi për ndërprerjen e punësimit që e keni nënshkruar Ju është shumë i paqartë dhe aspak arsyetues. Nuk i tregoni arsyet e vërteta pse shkarkohen pjesëtarët e FSK-së, apo nuk Ju lejohet nga ata që e bëjnë” procedurën e verifikimit” ta bëni këtë?! Çka nënkupton procedura e verifikimit dhe kush është përgjegjës për të ?! Pse procedura e verifikimit nuk është caktuar si kusht për konkurrim e jo të bëhet pasi të nënshkruhet kontrata e punës?! Meqë verifikimi i aftësive psikofizike te kandidatët bëhet në fillim dhe ky është kusht i domosdoshëm për rekrutim të suksesshëm pse është e nevojshme që procedura e verifikimit të zgjasë më shumë se (1) një vit, e pastaj rekrutët të hidhen në rrugë.
Sipas ligjit, arsyetimi në shkëputje të njëanshme të kontratës duhet të jetë shumë i qartë dhe taksativisht t’i përshkruajë shkaqet ( shkelje e rëndë disiplinore në vend të punës, korrupsioni, përfshirja në vepra të ndryshme penale apo veprime të tjera të kundërligjshme etj.) e jo një arsyetim i përgjithësuar si procedura e verifikimit. Kjo më tepër i përngjan diferencimit ideologjiko-politik sikur në kohët e kaluara aq më parë që po diferencohen thuaja ekskluzivisht ish ushtarët e UÇK-së, komandant i të cilave keni qenë edhe Ju dhe do të duhej, në rrethana normale të jeni edhe tash! Po e them në rrethana normale! Kam frikë se në rrethanat jonormale dhe proceset gjithashtu jonormale në TMK dhe FSK nuk janë fajtorë vetëm ndërkombëtarët!
Pa bashkëpunim dhe kontributin Tuaj dhe kolegëve tuaj nuk do të ishin në gjendje ta bëjnë këtë, PROCEDURЁN E VERIFIKIMIT! Ky nocion është hakmarrje tipike për shkak të së kaluarës së rekrutëve të përjashtuar apo kundërshtimit të proceseve negative nga ana e tyre! Përveçse është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut , shkarkimi i kundërligjshëm i pjesëtarëve të FSK-së duhet të trajtohet edhe para organeve të drejtësisë dhe Ju, si nënshkrues i këtyre vendimeve do të duhej të përballeni me ligjin .
Krejt në fund: Nuk ka asnjë dyshim se Procedura e Verifikimit do t’ju trokasë në derë edhe juve dhe një pjese të kuadrit “ komandues” të FSK-së. Por në një formë krejt tjetër.
(Autori është Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ-së)