Site icon Telegrafi

Letër e hapur ambasadorit italian

(Letër e hapur ambasadorit italian në Kosovë, z.Michael Giffoni)

I nderuar z. Ambasador,
Përpara se të fillojë e tu them shqetësimin tim, fillimisht do të mundohem që përmes kësaj letre publike, të bartë tek ju një pjesë të kësaj qetësie që po e ndjejë në njërin ndër qytetet më të qeta të vendit tuaj, të quajtur Terni. Është ora dy e mëngjesit, dhe përkundër që dritaren e kamë të hapur nuk dëgjohet asnjë zhurmë, dhe më bëhet se jam i vetmi person në këtë qytet. Kështu është edhe gjatë ditës, qytet i qetë, i rehatshëm, dhe të bënë të ndjehesh i sigurt në gjithçka që të rrethon. Këtë qetësi dhe këtë komoditet pa dyshim që e ofron pozita gjeografike në të cilën ndodhet qyteti, por gjëja kryesore është faktori njeri. Kjo është dhe rrezatim i stabilitetit ekonomik dhe atij politik. Me fjalë të tjera do të doja që edhe shteti yt, pra Italia, po edhe Kosova ime, të jenë ne këtë nivel të stabilitetit dhe sigurisë, dhe që secili njeri të mund të ndjejë atë që unë po e ndjejë tani, rehatinë. Do të dëshiroja shumë që edhe ju të ndiheni në Kosovë, njësojë siç po ndihem unë këtu, por…., gjithsesi shpresojmë në të mirë.

Besoj që tashmë e keni ndërtuar një mozaik të asaj që unë përjetoj në këtë qytet, dhe mund ta paramendoni se cila është ajo që përmes kësaj letre të hapur vendosa të ua kërkojë, dhe deri në fund të kësaj letre gjithçka do të jetë e qartë.

Ajo që më shqetëson është se shumë moshatarë të mi, të cilët gjinden në Kosovë, një gjë të tillë nuk kanë pas rastin ta përjetojnë ndonjëherë, dhe fatkeqësisht ata po vazhdojnë të privohen nga kjo kënaqësi, ndonëse lufta ka kohë që ka përfunduar, situata në Kosovë vazhdon të mbetet e tensionuar. Ata nuk po kanë mundësi që këtë ndjenjë ta përjetojnë së paku për pak ditë, sepse dihet tashmë që Kosova me pa të drejtë është ngulfatur dhe është izoluar, duke qenë kështu të vetmit qytetarë që nuk u lejohet hyrja në vendet Shëngen pa vizë, dhe se liberalizimi i vizave, edhe më tutje vazhdon të mbetet ëndërr.

A mendoni që një popull i cili gjithmonë ka qenë i vuajtur dhe i privuar nga të qenit i lirë, të vazhdojë të mbetet i tillë dhe i vetmi i izoluar ne rajon, veç se i është tekur dikujt?!…më vije keq, por më duhet të ju them që ky është një shembull shumë i keq që Unioni Evropian po i jep atyre që nesër pretendojnë pushtet. Ndoshta arsyetimi im mund të ju duket banal, po kriminelët të cilët gjatë luftës në Kosovë nuk kanë kursyer as foshnjat, sot ecin të lire nëpër Evropë, sepse jo të gjithë gjinden në Hagë, dhe kjo falë shpërblimit që Evropa u dha atyre, ndërsa në anën tjetër keni fëmijë që falë zotit kanë shpëtuar dhe masakrave më të tmerrshme dhe sot janë dëshmitarë të gjallë të terrorit serb, dhe ata fatkeqësisht janë në disavantazhë me kriminelët.

Pra i nderuar ambasador, me shpjegoni ju lutem se cilat janë vlerat në të cilat vazhdon të thirret Unioni Evropian në të cilin bënë pjesë edhe vendi juaj?…E di që ju do të fillonit të më shpjegonit mënyrën se si arrihet një gjë e tillë, duke më "goditur" me fjalën kushte, dhe gjendjen politike në të cilën ndodhet Kosova, duke përfshi këtu edhe vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, por i nderuar, vitet po ecin, dhe duhet ta keni parasysh që në gjithë këtë mjegulli politike, një rol të rëndësishëm e keni edhe ju si ambasador, dhe vendi të cilin e përfaqësoni.

E imagjinoj që, nëse do ju kisha përballë, ju do të vazhdonit me justifikimet se: “Atje ka krim të organizuar, se atje ka trafikim me qenie njerëzore, se atje ka korrupsion”, e shumë e shumë gjera të ngjashme, po të njëjta gjera kane edhe fqinjët tanë, madje edhe Italia që para pak dite festoi 150 vjetorin e bashkimit të saj, dhe këto gjera janë evidente dhe shqetësim i përbashkët. Mbase mënyra më e mirë për luftimin e këtyre dukurive do të ishte afrimi i Kosovës në gjirin Evropian, sepse në këtë mënyrë, të bashkuar rezultatet do të ishin më të favorshme për të gjithë Evropën…

Sinqerisht jam shumë i shqetësuar për gjithë ngjarjet që po ndodhin në Kosovë, dhe dëshirojë që problemet politike atje të gjejnë zgjidhjen sa më parë, në anën tjetër duke jetuar për disa vite në Itali, nën klimën e dashamirësisë, bujarisë, dhe humanizmit që ka populli Italian, jam shumë i bindur që as ndihma juaj, po as e shtetit që përfaqësoni nuk do të mungojë, dhe se kontributi i Italisë, do të jetë edhe me i madh. Gjithashtu po shpresojë që raportet e Kosovës me miqtë e saj ndërkombëtarë në përgjithësi, me Evropën dhe Italinë në veçanti, do të jenë raporte të ndërtuara mbi bazat e ndershmërisë, sinqeritetit, dhe qëllimit të përbashkët, për një Evropë të bashkuar dhe të qetë, ku secili qytetarë është i kënaqur me atë që ka dhe që i takon, duke mënjanu kështu problemet ndëretnike.

E di që mbase ka edhe të atillë politikanë që servilizmi i tyre ka lëshuar metastazë, por raportet e tilla nuk janë në favor të qëllimit tonë të përbashkët, dhe se ju e dini mirë se as kjo letër e imja, po as populli i Kosovës nuk janë të tillë.

Prandaj ju bëjë thirrje publike që ti injoroni servilët dhe të korruptuarit, dhe të veproni në një linjë me interesat e popullit të Kosovës, sepse ju sigurojë se në këtë mënyrë do të punoni edhe për interesat e vet Italisë dhe gjithë bashkimit Evropian.

Unë po ju sigurojë që në Kosovë po vijnë gjenerata të reja, të cilët nuk kanë urrejtje për popujt e tjerë, për kundër të gjithë atyre që kanë ndodhur, vizioni ynë është e ardhmja përkrahë të gjithë popujve tjerë. Në këtë kontekst, do t’i lënë anash, (lexo: por jo edhe ti harrojmë), librat e historisë, ku flitet për padrejtësitë që i janë bërë popullit tonë, qysh nga konferenca e ambasadorëve në Londër e tutje, duke përfshi këtu edhe luftën e pa-barabartë dhe tmerrin që përjetuam, sepse ne vazhdojmë të besojmë se Evropa do të përmirësoje gabimet e më hershme, dhe se ato nuk do të përsëriten më.

Pra ne do të jemi donatorët kryesorë të paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe se një ditë edhe qytetet e Kosovës do të jenë si Terni sot, të qeta dhe të rehatshme.

Krejt në fund, do të doja të falënderoja gjithë shtetin Italian, për kontributin, ndihmën dhe mundësinë që po vazhdon të tregojë në shumë sfera, siç dëshmon edhe rasti im, ku më është ofrua mundësia për studime. Populli im është popull që nuk harron, të mirën e kthen me të mirë dhe gjithçka të mirë që ju sot punoni në Prishtinë, të jeni të bindur që indirekt po punoni edhe për ata në Romë, sepse një ditë do ua kthejmë.

(Autori është student i Shkencave Politike “Università di Perugia” Terni – Itali)

Exit mobile version