(Letër e hapur ambasadorit italian në Prishtinë,
z.Michael Giffoni)
Ekselenca Juaj, Zoti Ambasador Giffoni,
Kam punuar mësues letërsie për gjashtë vjet dhe rreth 30 vjet përkthyes në Gjykatën Supreme të Kosovës, ku punoj edhe sot. Më kanë mbetur rreth 3 vjet për të shkuar në pension dhe, duke qenë i ftuar nga nipi im që punon prej disa vjetësh në Universitetin e njohur të Trentos në një Projekt shumë të rëndësishëm shkencor, të financuar nga BE, e ngaqë jam një nga shqiptarët jo të pakët të pasionuar pas artit dhe letërsisë italiane, pasi kalova disa ditë duke ngarendur nga një sportel në tjetrin, më 4 prill dorëzova dokumentet e kompletuara në IVAO që të më jepej viza italiane për turizëm dhe të plotësoja kështu një dëshirë të moçme për të vizituar vendin tuaj të mrekullueshëm ose më saktë, disa qytete shumë të njohura, si Milano, Venecia dhe Verona.
Në IVAO më thanë se duhej të prisja rreth dy javë për të marrë përgjigjen, të cilën, ç’është e vërteta, e mora pas tri javësh, madje duke më shtyrë dy herë terminin brenda një dite – së pari në orën 10:30 dhe pastaj në orën 14:30 të datës 23 prill. Dhe, përgjigja ishte negative: Viza juaj është refuzuar, sepse “Ju nuk keni dhënë informata të besueshme për të arsyetuar qëllimin dhe kushtet e qëndrimit në hapësirën Schengen” (sic!). Formulari m’u dorëzua nga z.F. Petani, Collaboratore Consolare, pranë Ambasadës suaj, të cilin munda ta identifikoja nga theksi, sepse atij i pashë vetëm dorën në çastin kur, duke murmuritur një “ditën e mirë” (që tingëllonte më shumë si – Na, thyej qafën!) prapa sportelit me xhama të errët, po më zgjaste përgjigjen me shkrim. (S’më kishte rastisur kurrë të ndodhesha përball një sporteli ku punonjësi të ishte fshehur pas një xhami të errët, aq më pak kjo i shkonte një ambasade…)
Zoti Ambasador,
Unë kisha kërkuar vizë italiane, (jo vizë për hapësirën Schengen), dhe vetëm për qëndrim tetëditor, që lidhej me Festat e Pashkëve, sepse nuk doja t’i merrja më shumë kohë mikpritësit (nipit tim), ftesën e të cilit po ia bashkëngjis kësaj letre.
Hyrja në vendin tuaj m’u refuzua me një arsyetim krejtësisht irracional. Ky zotëria, (që merr vendime të këtilla arbitrare në emër të Ambasadës Suaj dhe që fshihet pas xhamash të errët e nuk denjon të vërë kontakt normal vizual me klientët, të cilëve duhet t’u shërbejë në mënyrë të kulturuar, në mos për as gjë tjetër, të paktën për taksën jo edhe aq modeste që u vilet atyre për këto shërbime, por edhe sepse këtu ai nuk përfaqëson pronën e vet në Elbasan, por vendin tuaj të respektuar), ose nuk e ka shqyrtuar fare dokumentacionin e bashkëngjitur, ose në këtë mënyrë ai përjeton kënaqësi duke përçmuar tjetrin dhe duke i prerë në mes një dëshirë të madhe e një qëllim fisnik. Ndërkaq, nuk mund ta besoj kurrë atë që pëshpëritet aty-këtu se refuzimi i vizave mund të jetë edhe pasojë e vendosjes së një praktike utilitare. Do të më tmerronte vërtet ideja që një shërbim konsullor mund të shndërrohej në një repart fitimprurës. Aq më pak me objekt: njerëzit kaq skamnorë e të përvuajtur. Jo, nuk është e mundur! Do të ishte tepër johumane…
Zoti Ambasador,
Ai që ka pasur në dorë kërkesën time e ka pasur fare të lehtë të marrë një vendim të drejtë. Përveç nga ftesa e arsyetuar në mënyrë shumë korrekte, për të verifikuar më tej se cili është ftuesi nuk është dashur shumë mund; i ka mjaftuar vetëm të klikonte në Google emrin Dr.Venet Osmani dhe do të shihte se për kë bëhet fjalë, gjë që nuk është pa rëndësi.
Mendonte z.Petani (apo aq i bënte atij) se një personalitet i tillë do ta sorollate dajën vet nëpër tregje plaçkash?
Jo, Zoti Ambasador!
Duke besuar se s’ekzistonte asnjë arsye për të më refuzuar vizën, ai kishte përgatitur deri në hollësi itinerarin e vizitave që do të bënim. Ai e dinte se sa fiksim e kisha Venecian. Sa herë kisha mërmëritur këngën “Gondola gondoli”. Sa herë i kisha folur për Xevakon dhe “Urën e psherëtimave”. Nuk besoj se Juve ju tingëllon e pabesueshme, si zotit Petani, që një ndër qëllimet e mia kryesore për ta vizituar këtë qytet ishte pikërisht kjo urë! Po për ballkonin e Xhulietës çfarë të thuhet? Ajo shtëpi, ai ballkon, ku kishte lindur dashuria simbol, e prerë në mes nga smira dhe urrejtja njerëzore, pra edhe vetë Verona e njohur kanë pritur miliona vizitorë. Përse mua më ndalohet të jem njëri nga ata? (Sa më trishton kjo pyetje!). Për fund, kishim lënë Milanon dhe La Scala-n e famshme. Për një amator të muzikës klasike akti final Nessun Dorma i Turandot të Puccini-t të famshëm, (që po shfaqet nga 10 prilli deri më 13 maj), përbën kulmin e kënaqësisë artistike: Por mua kjo m’u mohua, vërtet pa mëshirë. (Ishte rasti i fundit që po më jepej…).
Ju duken këto informata jo të besueshme për qëllimin e vizitës së një vendi?! Përse, Zoti Ambasador? Pse silleni kështu me ne?! Po këtë pyetje do t’ua drejtoja edhe zotërinjve të tjerë ambasadorë, para ambasadave të të cilëve sheh përditë skena të njëjta: njerëz me shpresa të thyera, që shtrëngojnë në duar letrat me përgjigje kryesisht të njëjtë – REFUZOHET…
Jemi të vetmit në Evropë që na mbani në geto! Përse?
Zotërinj ambasadorë,
Ju mund të thoni: “Ne ju çliruam dhe tani jemi ne ata që vendosim rregullat e lojës, jemi ne që vendosim se kush dhe kur mund të dalë nga getoja. Ju duhet të heshtni. Përndryshe, jeni mosmirënjohës”.
Jo, zotërinj!
Po Jua kujtoj se ishte Regjimenti V i Ushtrisë së lavdishme amerikane ai që hyri triumfues në Romën e përgjakur nga fashizmi. Romanët e pritën atë me lule. Megjithatë, askush nuk ia mohoi popullit italian se kishte zhvilluar një rezistencë antifashiste. As francezëve se kishin pasur një Front të rezistencës të udhëhequr nga Gjenerali De Gol, ndonëse 2/3 e Francës ishin “rehatuar” nën çizmen e Mareshal Petenit, edhe ky francez, (çfarë ngjashmërie koincidenciale me mbiemrin e bashkëpunëtorit tuaj Petani!), ndonëse u desh të vinte dita “D” dhe të ndodhte Zbarkimi i famshëm në Normandi për t’i thyer përfundimisht kurrizin Fashizmit. Megjithatë, unë s’kam dëgjuar kurrë që Amerikanët, përveç krenarisë së ligjshme për rolin e tyre vendimtar në kthimin e lirisë në Evropë, të kenë shfaqur ndonjë shenjë përçmimi, aq më pak ndonjë pretendim për t’ju nënshtruar.
Nuk do të ishte keq që, duke ndjekur shembullin e tyre, edhe ju të silleni më ndryshe me ne. Ç’është e vërteta, robëria jonë ishte shumë më e gjatë, edhe pse ne s’ishim pajtuar kurrë me të. Rezistuam dhe bëmë një shekull përpjekjesh për lirinë që na mungoi aq gjatë. Bëmë edhe luftëra. Kjo e fundit ishte më e vështira. Por, u desh intervenimi i NATO-s që fashistëve të fundit në Evropë t’u tregohej vendi. Për këtë do të jemi mirënjohës për jetë e mot. Por Ju, mos na mohoni luftën tonë. Edhe ne bëmë atë që mundëm. Çfarë mendoni, nuk meritojmë një trajtim tjetër, zotërinj ambasadorë?
Zoti Ambasador,
Ju mund të arsyetoni edhe kështu: “Për këto restrikcione në regjimin e vizave, keni faj edhe vetë. Për këtë flasin numrat e të burgosurve shqiptarë në burgjet tona etj., etj”.
Më duhet ta marrë prapë shembullin e Amerikanëve. Ju e dini shumë më mirë se unë se sa miliona italianë, të shtyrë nga shtrëngesa ekonomike, ndër vite kishin gjetur vendin e shpresës tek Amerika. Ajo i kishte hapur portet pa ngurrim. Në ato porte kishin zbarkuar kryesisht hallexhinj, por jo edhe pak njerëz të Cosa Nostra-s. Mirëpo, Amerika për këtë shkak nuk i mbylli asnjëherë portet e saj për italianët. Ajo kishte përgjigjen e duhur për krimin dhe s’do ta merrte asnjëherë atë si pretekst për t’ia mbyllur dyert kësaj mase të madhe të njerëzve të thjeshtë, nga gjiri i së cilës do të dalin më vonë figura shumë të shquara që do t’i bënin nder jo vetëm Italisë, nga kishin ardhur dhe Amerikës ku ishin formuar, por edhe mbarë kulturës dhe artit botëror, sepse, siç ka thënë Jacque Prevert, “Si të gjithë lumenjtë e mëdhenj, edhe Sena ushqimin e merr nga provinca”.
Nuk do të ishte keq që edhe ju të ndiqnit shembullin e Amerikës. Ju e dini se shumica e shqiptarëve që ndodhen sot në vendin tuaj, s’kanë asnjë lidhje me krimin. Shumë prej tyre janë qytetarë të denjë të Italisë, madje ka edhe jo pak të tillë që po bëjnë emër në fusha të ndryshme të artit. Kini durimin dhe lexoni këto pak të dhëna domethënëse të botuara në gazetën MAPO të Tiranës: “Por ndoshta shumë pak e dinë se janë plot 240 violinistë shqiptarë, të cilët janë sot pjesë e orkestrave më prestigjioze e teatrove më të famshme në botë dhe pedagogë në shkollat më të shquara të artit. Solistë, koncert maestër, drejtor orkestrash, profesorë, violinistë shqiptarë takon nga Filharmonia e Vjenës në teatrin Scala të Milanos, në Filharmoninë e Berlinit, Orkestrën Mbretërore të Belgjikës deri te orkestrat më prestigjioze simfonike të SHBA, e po të vazhdojmë lista është vërtet e gjatë…”.
Zoti Ambasador,
Duke Ju kërkuar ndjesë për kohën e çmuar që kam mundur t’Jua marr, në fund Ju lutem vetëm për një gjë: Përdorni autoritetin Tuaj dhe bëni ç’është e mundur për t’ua bërë më të lehtë qarkullimin qytetarëve tanë. Ose, të paktën, mos lejoni të maltretohen pa nevojë e të bëjnë shpenzime kot. Ua preni me të parën. Mos i ushqeni me shpresa të rreme. Se, nuk e meritojnë, Vërtet, jo.
Sa për veten time, unë kurrë më nuk do t’i qasem asaj godine, që më së paku më ngjan me një ambasadë. Sepse, ata kangjella mbi dy metra të lartë, ato trotuare të rrëpira e të ngushta, në krye të të cilave të pret një qen i madh pa zinxhir, (për fat prapa kangjellave shtesë), ajo dhomë pritjeje me tavanin një pëllëmbë mbi kokë, ai sportel me xham të errët m’i kujtojnë ambientet ku do të ndodhej aq gjatë Jozef K. në kërkim të një shpjegimi, me ndryshimin se ato ishin veshur me dërrasa gjysmë të kalbura e llamarinë të ndryshkur dhe binin erë djerse e myku, kurse këto Tuajat me hekur e beton dhe të parfumosura. Përse kjo butafori? E qartë – qind për qind në funksion të vrasjes së shpresës.
Prandaj, i mëdyshur nëse në një tabelë të varur në hyrje të kësaj godine do të shkonte më shumë “Gli indiferenti” (Alberto Moravia) apo “Lasciate ogni speranza voi ch’entrate” (Dante Alighieri), u binda se kjo e fundit do të shprehte shumë më saktë të vërtetën trishtuese të vizave.
Me respekt,
“vizitori” i pafat