(Lidhur Kodin Penal të Republikës së Kosovës)
I nderuari deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së,
Përmes kësaj letre dua t’ua rikujtoj se: Kuvendi i Republikës së Kosovës në Mbledhjen Plenare të dt. 22 qershor 2012 bëri shqyrtimin dhe votimin e 7 pikave të rendit të ditës. Pika ma e debatueshme para dhe pas shqyrtimit të votimit ishte “Vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës për rishqyrtim”.
Në përmbajtjen e këtij vendimi edhe pse jo i qartë nga pikëpamja juridike, theksohej se neni 37 dhe 38 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla duhet të rishqyrtohen. Në vazhdimësi, komisioni për Legjislacion në përputhje me procedurat parlamentare vendosi që Kuvendit të Kosovës t’i paraqes amandamete në të cilat theksohet se neni 37, 38 dhe 39 të hiqen. Kështu që komisioni vendosi që në rekomandimin e vet të hiqet edhe neni 39 Kodit Penal sepse i referohet këtyre dy neneve.
Në lidhje me ketë çështje shumica e deputetëve shprehen pajtimin e tyre me rekomandimet e komisionit me përjashtim të Shefit te Grupit Parlamentar të PDK–së dhe tre “haverave të tij’’. Për më tepër, para votimit Berat Buzhala me “izen” e shefit të tij kërkoj në seancë “Mocion për riformulim” të neneve të lartcekura në kundërshtim me Kushtetutën dhe me të gjitha procedurat e parapara me Rregullore të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kësisoj ju z. Adem Grbovci dhe “Ciceroni” i juaj Buzhala, do te duhej të dini se “Mocion” mund të kërkohej vetëm sipas nenit 49 dhe 52 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ku shprehimisht në nenin 49 thuhet se: “Ne secilën mbledhje plenare, deputeti duke njoftuar paraprakisht Kryetarin e Kuvendit, mund te propozojë që Kuvendi të shqyrtoj menjëherë një çështje urgjente, e cila duhet të jetë në përputhje me përkufizimin e shtojcës së parë të shprehjeve të Rregullores”, kështu që në nenin 52 thuhet se: “Mocioni përmbajtjesor, nëse është amandament i një projektligji i dërgohet me shkrim, mundësisht në formë elektronike, Zyrës për Propozime dhe Parashtresa jo me vonë se 8 ditë pune para debatimit ne mbledhje”…
Ju zotëri Adem Grabovci së bashku me grupin e juaj keni kërkuar mocion në fillim të pikës së gjashtë (6) e që bie se kërkesa e juaj ishte pa bazë ligjore. Gjithashtu kjo kërkesë nuk ka mbështetje as në nenin 50 të Rregullores, ku parashihen Mocionet Procedurale.
Kundër Adem Grabovcit dhe të autorizuarit të tij ( Buzhalës) del edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 80, dhe në konkretizim të saj edhe neni 61 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto dy nene parashohin që vendimi për kthimin në rishqyrtim të Kodit Penal apo edhe ndonjë ligji tjetër, nga ana e Presidentes, e deri te rekomandimi i Komisionit për Legjislacion në lidhje me vërejtjet e Presidentes dhe votimi në seancë plenare është një procedurë e veçantë, ku ndalohet ndërhyrja – riformulimi në rekomandimet e komisionit nga “deputies e capiture”, gjegjësisht nga Adem Grabovci dhe autorizuari i tij.
Për më tepër , kundër Adem Grabovcit dhe autorizuarit të tij na shfaqet edhe Doktrina Kushtetuese e cila thekson se “Institucionet ekskluzivisht duhet të sillen brenda kornizave me të cilat u lejohet me kushtetutë dhe ligj, ato duhet të veprojnë vetëm në bazë të autorizimeve kushtetuese dhe ligjore. Pra, kjo kërkesë vlen vetëm për institucionet dhe jo për qytetarët. Qytetarëve u lejohet çdo gjë që nuk është shkruar dhe e ndaluar me kushtetutë apo me ndonjë dispozitë tjetër juridike të bazuar në kushtetutë”. Pra, pajtohem që Adem Grabovcit dhe “haverave” të tij, pas rënies së kësaj konjukture me pushtet absolut do të duhej ti ipen të drejtat përbrenda kufizimit të lirisë të cilat i posedojnë disa qytetarë, si rezultat i ushtrimit të funksioneve kushtetuese nga Gjykatat e Republikës së Kosovës.
Pas gjithë kësaj rrëmuje hidhen në votim nenet 37, 38 dhe 39 për fshirjen e tyre, mirëpo nga gjithsej 68 deputetë sa ishin prezent, 5 abstenuan, ndërsa grupi i formuar nga deputetë të caktuar brenda grupit parlamentar të PDK-së në krye me Adem Grabovcin votojnë “kundër”, dhe si pasojë e kësaj nenet e lartcekura nuk u hiqen nga Kodi Penal, pasi që Kushtetuta në nenin 80, paragrafi 4 dhe neni 60 paragrafi 5 i Rregullores shprehimisht theksojnë se vetëm me shumicën e të gjithë deputetëve (61) vendoset për heqjen e neneve të rikthyera nga Presidentja, dhe ky numër nuk u arrit. Prandaj, sipas legjislacionit në fuqi Kodi Penal, konsiderohet i shpallur edhe pa nënshkrimin e Presidentes.
Kurorëzimi i skandalozitetit dhe mediokritetit të Adem Grabovcit shfaqet dukshëm në emisionin “INTERAKTIV” të KTV-së, ku ai arsyeton votën e “haverave” të tij kundër neneve te Kodit Penal, kinse mediat e shkruara dhe ato elektronike po japin informacione të rrejshme mbi veprimtarin e tij dhe grupit të tij. Për më tepër ai theksoj se do të kërkojë riformulim të neneve të lartcekura në seancën e radhës kur tashmë dihet se Kodi Penal është i shpallur, që do të thotë se Kodi Penal ka arritur deri te ajo procedure ku qytetarëve i servohet njohja e përmbajtjes së tij.
Prandaj, Adem Grabovci dhe as qeveria e tij nuk kanë kurrfarë baze juridike për riformulim-ndryshim të Kodi Penal, para hyrjes në fuqi.
(Autori është Ma.sc. Kushtetuese-Administrative)