Shkrimtari Rudi Erebara u ka dërguar letër 27 ministrave të Kulturës së Bashkimit Evropian, në lidhje me synimin e qeverisë “Rama 2” për të prishur Teatrin Kombëtar. Erebara është fituesi i Çmimit Evropian të Letërsisë për romanin e tij të fundit, “Epika e yjeve të mëngjesit”.
“Me prishjen e Teatrit Kombëtar, Shqipëria humbet një monument historik të një rëndësie unike historike dhe arkitekturore, vatrën e prodhimtarisë teatrore nga viti 1947, një kompleks unik arkitektonik dhe gjithashtu një shembull të arkitekturës racionaliste italiane të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Ajo çka pritet të ndodhë është një shembull tjetër i shkatërrimit të historisë nga zyrtarët e korruptuar në partneritet me firmat private si dhe partisë-shtet në fuqi, që jehon historinë endemike të totalitarizmit, i cili shkaktoi viktima të panumërta si dhe humbje njerëzore dhe kulturore si dhe terror fizik dhe psikologjik për shqiptarët”, shkruan Rudi Erebara.