Telegrafi

Lëshohet urdhërarrest për presidentin e PAOK-ut dhe katër persona tjerë që çuan në ndërprerjen e ndeshjes me AEK-un, pezullohet edhe kampionati grek

Një urdhërarrest është lëshuar gjatë të hënës kundër kryetarit të PAOK-ut, Ivan Savvidis, si dhe katër personave të tjerë, pasi biznesmeni polemik ruso-grek sulmoi fushën duke tentuar t’i qëroj hesapet me gjyqtarët.

Në minutën e 89-të, gjyqtari e anuloi një gol të PAOK-ut për shkak të pozitës jashtë lojë dhe kjo gjë nuk i pëlqeu kreut të klubit, i cili hyri në fushë.

Por, sipas mediumit Skai TV, një prokuror ka nisur një hetim në natën e së dielës rreth Savvidisit që hyri në fushë me një armë në brez.

Lexo po ashtu Dhuna në futbollin grek, presidenti i PAOK-ut hyri në fushë me armë për t'u konfrontuar me gjyqtarin

Sipas këtij mediumi është lëshuar një urdhër për arrestimin e tij dhe policia po e kërkon atë. Megjithatë, urdhërimi ka të bëjë vetëm me hyrjen e tij në fushë dhe jo me faktin se Savvidis pati një armë me vete.

Savvidis kërkohet pas hyrjes në fushë (Foto: Twitter)

Katër persona tjerë të përfshirë në incidentet që çuan në anulimin e ndeshjes së ligës kundër AEK-ut në mbrëmjen e së dielës gjithashtu kërkohen nga policia me kërkesë të prokurorit.

Askush, madje as oficerët e policisë në detyrë, nuk lejohen të mbajnë armë në stadiumet e futbollit.

Savvidis mbante armë në brez (Foto: Twitter)

Pas këtij rasti në një ndeshje aq të madhe, drejtuesit e shtetit kanë vendosur pezullimin e përkohshëm të kampionatit.

“Kemi vendosur të pezullojmë kampionatin. Nuk do të lejojmë rinisjen e kampionatit për aq kohë sa nuk do të kemi miratuar një ligj të ri, të konsoliduar me të gjithë aktorët, përfshirë dhe UEFA-n”, ka thënë ministri nga Ministria e Sporteve të Greqisë, Giorgos Vasiliadis. /Telegrafi/