Site icon Telegrafi

Lëshohet në qarkullim tuneli në hyrje të Mitrovicës

Është lëshuar për qarkullimi tuneli në hyrje të Mitrovicës.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit Rexhep Kadriu, mori pjesë në përurimin e këtij tuneli.

Kadriu ka thënë se rinovimi i tij ka qenë i domosdoshëm.

“Duke pasur parasysh faktin që për 50 vite asnjëherë nuk është investuar në këtë tunel dhe pas shembjes së kurorës së tunelit vitin e kaluar, rinovimi i tij ka qenë i domosdoshëm për të gjithë ata që e frekuentojnë këtë rrugë. Vonesa në përmbyllje të punimeve është bërë shkaku i intervenimeve të nevojshme shtesë, sipas standardeve më të larta për evitimin e rreziqeve që kanë ekzistuar paraprakisht në tunel”, është shprehur ai.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, e falënderoi ministrinë për këtë punë të shkëlqyeshme dhe të nevojshme në këtë tunel.

Sipas njoftimit për media, ky tunel ka gjatësi prej 250 metra, me gjerësi prej 6.5 metra, kurse vlera e investimit në riparimin e tij është afër 380 mijë euro. Tuneli është punuar sipas parametrave të parapara për këtë kategori tunelesh dhe ka tërë infrastrukturën e nevojshme./Telegrafi/

Exit mobile version