Kelly Preston vdiq në shtëpinë e saj në Florida, konfirmon një certifikatë vdekjeje për aktoren e ndjerë.
Preston, e cila luajti në filmat “Jerry Maguire” dhe “Twins”, vdiq në korrik në moshën 57 vjeçare pasi luftoi me kancerin e gjirit për dy vjet.
Bashkëshorti i saj, John Travolta, konfirmoi vdekjen përmes një postimi të ndarë në Instagram.
Sipas një certifikate vdekjeje të marrë nga Us Weekly, aktorja vdiq në shtëpinë e saj dhe të Travoltas në Clearwater, Florida, në orën 11:46 të mëngjesit, më 12 korrik.
“Është shumë e vështirë të njoftoj se gruaja ime e bukur Kelly ka humbur betejën e saj dy vjeçare me kancerin e gjirit”, ka shkruar Travolta në Instagram një ditë pas vdekjes së saj. “Ajo luftoi një luftë kurajoze me dashurinë dhe mbështetjen e kaq shumë njerëzve”.
“Familja ime dhe unë do të jemi përgjithmonë mirënjohës për mjekët dhe infermierët e saj në MD Anderson Cancer Center, të gjitha qendrat mjekësore që e kanë ndihmuar, si dhe për shumë miq e të afërm që kanë qenë pranë saj. Dashuria dhe jeta e Kelly do të mbahet gjithmonë në mend. Unë do të kërkoj ca kohë për të qenë atje për fëmijët e mi që kanë humbur nënën e tyre, kështu që më falni paraprakisht nëse nuk dëgjoni prej nesh për një kohë”, vazhdoi ai.
Preston lindi më 13 tetor 1962, në Honolulu, Hawai. Ajo studioi për aktrim në Universitetin e Kalifornisë Jugore dhe ishte pjesë e shumë filmave të suksesshëm.
Ajo la pas bashkëshortin, 66 vjeçar, vajzën 20 vjeçare, Ella dhe djalin 9 vjeçar, Benjamin. /Telegrafi/