Me kyçjen simbolike të mekanizmit, i cili paradokohe u instalua, në përdorim janë vendosur katër orët e Sahat Kullës në Gostivar.
Në përurimin simbolik mori pjesë edhe Behixhudin Shehapi, sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, i cili tha se me këtë investim të fundit në simbolin e qytetit rrumbullakësohet projekti për mbrojtjen e këtij monumenti të kulturës.
Vënia në funksion të orëve, mirëmbajtjes dhe ndriçimit të Sahat Kullës janë një nga dhjetëra projektet të cilët Ministria e Kulturës i financoi në periudhën e kaluar. Sahat kulla tani është vënë në funksion dhe si e tillë, përveç rëndësisë historike tani do të jetë në dobi edhe të qytetarëve”, tha Shehapi.
Kryetari i komunës së Gostivarit Nevzat Bejta shprehi kënaqësi nga bashkëpunimi gjatë realizimit të projektit dhe paralajmëroi se së shpejti nëpër qytet, krahas këtyre orëve do të vendosen edhe katër në lokacione më të rëndësishme.
Adnan Fejzullai, drejtor i Qendrës Konservatore nga Gostivari, i cili e realizoi këtë projekt theksoi se mekanizmat të cilët firma i vendosi, kanë edhe GPS mbështetje me ç`rast çdoherë do ta tregojnë kohën e saktë lokale.
Për mekanizmin dhe vendosjen në përdorim të orëve, Ministria e Kulturës investoi 520 mijë denarë.
Me rikonstruksionin, ky monument kulturoro-historik nga viti i kaluar është vënë në funksion edhe për vizita turistike.
Sahat Kulla vlen për një nga objektet më të njohura të Gostivarit dhe si simbol i qytetit është e prezente në flamurin dhe stemën e komunës. Shkrimet flasin se ka qenë e ndërtuar në shekullin e 17-të. /Telegrafi/