Ky është momenti kur një grua në mënyrë shumë të dhunshme arrestohet rrugëve të Teheranit, ku për prangosjen e saj u përdor edhe një lloj shufre e metaltë me një hallkë të telit, që zakonisht përdoret për kapjen e qenve.
Videoja e arrestimit është publikuar në internet, ku shihet se si gruaja tërhiqet zvarrë dhe ia shkulin flokët derisa ajo refuzon të futet në furgon – e për ta bërë këtë të mundur e përdorin edhe shufrën për kapjen e qenve, transmeton Telegrafi.
Koloneli Morad Moradi, zëvendës-drejtor i policisë së Teheranit, ka konfirmuar se gruaja u arrestua “pasi filloi të fyej”, dhe pranoi se janë duke analizuar pamjet e momentit të arrestimit, me qëllim që të përcaktohet nëse ka patur tejkalim të përdorimit të forcës.
Madje sipas tij, gruaja kishte qenë “agresive” ndaj zyrtarëve policorë, që thjesht po e kryenin detyrën e tyre. E për opinionin në Iran po konsiderohet edhe më i rëndi fakti që ajo nuk e kishte kokën e mbuluar – që sipas ligjeve në fuqi konsiderohet “krim”.
Nuk dihet saktë se në cilën pjesë të kryeqytetit iranian ka ndodhur ngjarja, por është shpërndarë nëpër rrjetet sociale nga Masih Alinejad, iraniania që lufton për të drejtat e grave. /Telegrafi/