Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, vazhdojnë të ndajnë çmimin “YLLI I JAVËS”, për lojtarin më të mirë të xhiros.
“YLLI I JAVËS” për xhiron e 16-të në #BKTSuperligë është shpallur futbollisti në radhët e FC Prishtina, Leotrim Kryeziu.
Sulmuesi 22-vjeçar i bardhekaltërve ishte përcaktues në fitoren që skuadra e tij e realizoi si mysafire në Lipjan kundër Ulpianës, me rezultat 3:0.
Ai shënoi dy gola dhe pati paraqitje të shkëlqyeshme gjatë tërë takimit. Kryeziu shënoi nga një gol në secilën pjesë në minutat 34’ e 85′, teksa me një gol nga penalltia kontribuoi Besnik Krasniqi (57′). Golin e fundit në këtë edicion Leotrim Kryeziu e kishte shënuar pikërisht ndaj Ulpianës në ndeshjen e javës së 7-të, që ishte mbyllur baras 1:1.
Me këtë fitore FC Prishtina ka ruajtur hapin me skuadrat e kreut të renditjes dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 5-të të renditjes në #BKTSuperligës me 6 pikë më pak se lideri FC Ballkani.
Çmimin “Ylli i javës” për sulmuesin e FC Prishtina, e ndau Burim Shala, menaxher i departamentit të korporatave në BKT.