Telegrafi

Leonardo: Kean ka të ardhme të madhe, nuk e di se a do të qëndrojë te PSG

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo, parashikon një të ardhme të madhe për Moise Kean, ndërsa ende nuk e di se a do të qëndrojë edhe pas verës në kryeqytetin francez.

Italian erdhi si huazim nga Everton verën e kaluar dhe ka bërë mirë me gjigantët francez.

Keane, i cili shënoi kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve javën e kaluar, ka shënuar 14 herë në 26 ndeshje me PSG-në.

Leonardo, megjithatë, zbuloi se marrëveshja e huazimit ishte “formula e vetme e mundshme” për të sjellë 20-vjeçarin në Paris verën e kaluar dhe sipas tij blerja përfundimtare është e komplikuar.

“Huazimi? E vërteta është se ajo ishte formula e vetme e mundshme. Mendova se mund të ishte diçka pozitive ta kesh Kean në ekip për një vit”.

“Sot, është e vështirë të thuash se cila do të jetë e ardhmja e tij. Ne do të shohim në fund të sezonit. Sot është shumë e komplikuar të dish se si do të shkojë gjërat, por Keanin sigurisht që e pret një e ardhme e shkëlqyeshme”, ka thënë Leonardo për France Blue.

Ish sulmuesi i Juventusit u transferua në Everton në gusht 2019 për një shumë prej 27.5 milionë eurove. /Telegrafi/