Ylli i Hollywoodit, Leonardo DiCaprio, do të dhurojë pesë milionë dollarë për të ndihmuar shuarjen e zjarreve në Amazonë.
Ky i fundit ka depozituar pesë milionë dollarë në një fond emergjent të ‘Amazon Forest’, të nisur nga Earth Alliance, një organizatë mjedisore që ai e kishte themeluar.
Zjarret vazhdojnë të kaplojnë pyjet e Amazonës, duke shkaktuar alarm global për situatën e krijuar në këtë masiv që konsiderohet si ‘mushkëria e botës’.
Këto nuk janë një dukuri e pazakontë në kohë thatësirash në Brazil, por të dhënat satelitore të publikuara se fundmi tregojnë një rritje prej 85 përqindësh të zjarreve në këto pyje.
Agjencia satelitore e këtij shteti ka regjistruar më shumë se 41,000 zjarre në Amazonë gjatë këtij viti, teksa më shumë se gjysma kanë nisur vetëm këtë muaj.
Ndërkohë, këto ditë janë mbledhur edhe liderët ndërkombëtarë në samitin e G7 në Francë, ku thuhet se janë shumë pranë një marrëveshjeje për të ofruar ndihmë në shuarjen e flakëve në pyjet e Amazonës. /Telegrafi/