Telegrafi

Lenovo me plane të reja për blerjen e BlackBerry?

Në tetor të vitit të kaluar, ishin dëgjuar disa thashetheme të cilat pretendonin se Lenovo ishte e interesuar në blerjen e BlackBerry, ndërsa tani sipas një raporti të fundit thuhet se Lenovo faktikisht është ende e interesuar në blerjen e kompanisë së njohur kanadeze të telefonave mobil.

Lenovo po thuhet se do të ofrojë rreth 15 dollarë për aksion për blerjen e BlackBerry, dhe se kjo shumë madje mund të rritet në afërsisht 18 dollarë për aksion, e cila është një ofertë më e lartë se çmimi i tyre aktual, që sillet rreth 9,50 dollarë për aksion.

BlackBerry ka kthyer gjërat kohët e fundit, dhe rezultatet e fundit financiare ishin më të mira se sa pritej, sepse modeli i tyre më i ri i telefonit, BlackBerry Passport po shitet më mirë sesa pajisjet dhe modelet e mëparshme të pajisjeve mobile.

Lenovo ka plane të mëdha për biznesin e saj të ri të telefonave të mençur mobil, dhe ka për qëllim të fillojë një degë të re në Kinë që do të fokusohet vetëm në telefonat e mençur mobil.

Prandaj, blerja e kompanisë BlackBerry mund të jetë një blerje shumë e qëlluar për kompaninë e madhe kineze. (Telegrafi)