Lennox Lewis ka thënë se do të ishte i hapur për një rimeç me Mike Tysonin, 19 vjet pas duelit të tyre epik.
Britaniku regjistroi fitoren më të madhe në karrierë në qershor të vitit 2002, kur e mposhti amerikanin në përballjen për titullin e botës në kategorinë e peshave të rënda.
55-vjeçari zhvilloi vetëm edhe një meç më pas (fitoi kundër Vitali Klitschko në qershor 2003) para se të pensionohej në vitin pasues.
Tyson u pensionua në vitin 2005, mirëpo u rikthye për një meç miqësor ndaj Roy Jones Jr. në vitin e kaluar që përfundoi baras.
Në një prononcim për TMZ, Lewis ka thënë se do të ishte i hapur për rimeçin potencial ndaj Iron Mike, nëse ka interesim për një duel të tillë.
“Nëse publiku do ta dëshironte, me gjasë do të bisedonim. Nuk e di. Nuk kam diçka që më shtyn drejt ringut tash për tash. Njerëzit do të donin ta shihnin atë duel, por nuk e di”, ka deklaruar Lennox. /Telegrafi/