Telegrafi

Lenjani i dërgon sinjal Panuccit për mos grumbullimin, dy asistime për Sionin

Ermir Lenjani ka vazhduar shkëlqimin në kampionatin zviceran me Sionin.

Mbrojtësi shqiptar që në ndeshjet e fundit po luan më i avancuar ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në takim ndaj Grasshoppersit.

Anësori ka bërë dy asistime ndaj Grasshoppersit, ndeshje që nuk përfundoi deri në fund. Ndeshja u ndërpre në minutën e 49 pasi tifozët mysafirë të pakënaqur me skuadrën e tyre krijuan probleme në fushë.

Ishte minuta e 21-të e ndeshjes kur Lenjani goditi bukur drejt golit, ndërsa në fund Uldrikis e dërgoi topin në rrjetë për 1-0. Pasi kaluan 30 minuta lojë, Ermiri e bëri edhe asistimin e dytë në këtë sfidë kur pasoi tek Pajtim Kasami që shënoi për 2-0.

Me këto dy asistime Lenjani i ka dërguar një sinjal trajnerit italian Christian Panucci për mos ftesën për dy ndeshjet e radhës të Kombëtares së Shqipërisë.

Ylli shqiptar po kalon nëpër super formë pasi deri më tani ka shënuar tre gola dhe ka bërë nëntë asistime.

Mos grumbullimi i Lenjanit ka qenë befasia më e madhe në listën e Panuccit, ndërsa KËTU mund të shikoni asistimet e Lenjanit dhe golin e Kasamit. /Telegrafi/