Telegrafi

Lëndohen rëndë tre persona në një aksident në Negotinë

Tre persona janë lënduar rëndë, ndërsa një tjetër ka kaluar me lëndime më të lehta, në një aksident i cili këtë mëngjes rreth orës 02:00 ka ndodhur në Negotinë.

Siç informoi zëdhënësi i SPB Veles, Veroljub Dodevski, aksidenti ka ndodhur në rrugën regjionale P 103 Kavadar-Negotinë, në hyrje të Negotinës tek stacioni për kontrolle teknike “Antigona”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Makina “Opel Astra” me targa të Velesit, e drejtuar nga 35-vjeçari N.A nga fshati Stajkovo, ka dalur nga korsia dhe ka goditur gardhin mbrojtës dhe objektin e Agroservis”, tha Dodevski.

Shoferi ka kaluar me lëndime të lehta trupore dhe është mbajtur për shërim në Spitalin e Kavadarit, ndërsa tre bashkëudhëtarët tjerë, gjithashtu persona të rinj, kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe janë transferuar në Qendrën Klinike në Shkup./Telegrafi/