Telegrafi

Lëndimi i Carvajal më i keq se sa pritej – sa gjatë do të mbetet jashtë fushave dhe sa ndeshje do t’i humbasë

Parashikimi më i keq për Dani Carvajal tashmë është konfirmuar, pasi spanjolli do të mbetet jashtë fushave për pjesën tjetër të sezonit.

Testet mjekësore që u kryen tek mbrojtësi i djathtë i Real Madridit, konfirmuan se lëndimi shkon përtej këputjes së ligamentit në gjurin e djathtë, diçka të cilën e konfirmoi vet lojtari pas ndeshjes andaj ai do t’i nënshtrohet së shpejti operimit.

“Një lëndim serioz i ligamentit është konfirmuar. Unë duhet t’i nënshtrohem operimit dhe do të jem jashtë fushave për disa muaj. Tashmë po shikoj para për të filluar rikuperimin dhe të rikthehem si një bishë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja, ndihem shumë i dashur”, kishte thënë Carvajal.

Kë mund ta aktivizojë Ancelotti në krahun e djathtë me Carvajal të lënduar?

Lëndimi i Carvajal është një dhimbje koke për Carlo Ancelottin pasi ai është zgjedhja e parë për krahun e djathtë tek Real Madridi.

Lucas Vazquez është opsioni më i mundshëm dhe lojtari i vetëm në ekip me përvojë në atë pozicion.

Tek Real Madrid Castilla italiani ka opsione si David Jimenez, Jesus Fortea dhe Loren Aguado, por asnjëri nga ta nuk ka debutuar ende me ekipin e parë.

Jimenez ishte ftuar me ekipin e parë për ndeshjen ndaj Alavesit në ‘Santiago Bernabeu’, teksa Fortea është vetëm 17-vjeçar./Telegrafi/