Në Klinikat e QKUK-së, është duke vazhduar trajtimi i pesë personave që mbetën të plagosur të dielën mbrëma, pas të shtënave me armë mes dy grupeve në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Njëri nga të plagosurit është duke u trajtuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë.
Drejtori i kësaj klinike, Shpëtim Shurdhiqi në një prononcim për Telegrafin bëri të ditur se gjendja e pacientit është stabile.
“Në Kardiokirurgji është duke u trajtuar njëri nga të plagosurit. Gjendja e pacientit është stabile, në përcjellje dhe për momentin në bazë të ekzaminimeve nuk ka nevojë për intervenim kardiokirurgjik”, ka thënë Shurdhiqi.
Ai tutje bëri të ditur se pacienti në fjalë nga të shtënat me armë ka pësuar lëndime në regjionin e krahut të majtë dhe kafazit të kraharorit.
Ndryshe, edhe dy të plagosur të tjerë janë duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.
Vesel Skenderi nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale në QKUK ka bërë të ditur për Telegrafin se në këtë klinikë po trajtohen dy nga pesë të plagosurit e mbrëmshëm.
Ai bëri të ditur se gjendja e tyre është stabile.
“Dy pacientë njëri viti i lindjes 2003 dhe tjetri 1995 janë duke u trajnuar në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Gjendja e tyre për momentin është stabile. Mbrëmë është bërë intervenimi pas lëndimeve nga arma e zjarrit”, ka thënë Skenderi.
Ndryshe mbrëmë rreth orës 22:00 në një përleshje të armatosur mes familjes Sekiraqa dhe Capat, ka mbetur i vrarë një person dhe pesë të tjerë u plagosën.
Të plagosurit që po trajtohen në QKUK janë “nën masën e arrestit dhe mbikëqyrjes policore”.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se deri te incidenti ka ardhur si pasojë e disa mosmarrëveshjeve të mëhershme mes dy grupeve.
“Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë persona, si dhe janë duke u zhvilluar veprime hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast pasi që dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të pa identifikuar”, ka njoftuar Prokuroria. /Telegrafi/