Pesë seanca gjyqësore janë caktuar në muajin nëntor për lëndët e PSP-së dhe dy prej tyre do të jenë seanca të para të këtyre lëndëve. Tre nga pesë lëndët do t’i gjykojë gjykatësja Lidija Petrovska, e njohur si person i përmendur në bisedat e përgjuara. Aktakuzat për lëndët “Total”, në të cilën është i akuzuar Dragan Pavlloviq Latas dhe “Fortesa-Shënjestra”, në të cilën janë të akuzuar Gordana Jankullovska dhe Sasho Mijallkov, janë të pranuara por gjykata ende nuk ka caktuar termine për seancat e para.
2 nëntor – “Fortesa 2”, lënda në të cilën për shkatërrim të dokumentacionit zyrtar në lidhje me përgjimet joligjore të akuzuar janë ish-shefi i Drejtorisë së pestë në DSK, Goran Grujevski dhe gjashtë nëpunës tjerë.
6 nëntor – Seancë e dytë për lëndën “Transporter”, rasti i kontratave kriminale për transportin e nxënësve në Manastir.
7 nëntor – Seancë e parë për lëndën “Trust”, në të cilën i akuzuari kryesor është Sead Koçan, për keqpërdorim në tenderin e SHA ELEM.
15 nëntor – Seancë e parë për lëndën “Treqind”, ku ish-zv.ministri për punë të brendshme, Gjoko Popovski është i akuzuar për kontratë joligjore për furnizim me vetura për policinë.
20 nëntor – Vazhdon procesi gjyqësor “Dhunë në Komunën Qendër”, në të cilin i akuzuar i parë është lideri i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski së bashku me ish-ministrin për transport dhe lidhje, Mile Janakievski dhe 12 persona tjerë.
Ditën e njejtë kur Gruevski do të jetë në gjykatë për rastin e dhunës, kryeministri Zaev do të gjykohet për lëndën “Ryshfet” për 200 mijë euro ryshfet të kërkuara nga një afarist në Strumicë.
23 nëntor – Vazhdon procesi gjyqësor për rastin “Sopot”, që do të rifillojë, me nismën e PSP-së./Telegrafi/