Site icon Telegrafi

Lëkundjet e tërmetit të sotëm çajnë muret e spitalit të Durrësit

Lëkundjet e fundit të tërmetit 5.2 të shkallës Rihter që ranë rreth një orë më parë kanë dëmtuar muret e spitalit të Durrësit. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga urgjenca e spitalit të Durrësit Ajgena Korbi raportoi se në atë moment kanë dalë të gjithë jashtë nën panik, ndërsa një grup ekspertësh po verifikojnë dëmet. Fillimisht u fol për një evakuim të tyre, por gazetarja na konfirmoi se në kushtet e panikut një pjesë e pacientëve janë tërhequr nga familjarët.

“Ka qenë ora 12 kur në Durrës janë ndjerë lëkundjet e fundit sizmike. Kjo situatë ka bërë që të gjithë të dalin jashtë në panik. Është konstatuar që godina ka pësuar plasaritje. Një grup ekspertësh po verifikojnë nëse ka dëme në strukturë. Në këtë moment urgjenca po punon, po ka pacientë që kanë lënë spitalin, janë marrë nga familjarët në kushtet e panikut. Do ketë një verifikim të dytë të situatës dhe nëse do vijojë puna apo jo. Manastirliu tha se në Durrës situata është nën kontroll dhe nëse konstatohet se urgjenca nuk është në gjendje të funksionojë atëherë shërbimet do merren në anën e dajthtë të spitalit, ose në godinën e maternitetit” –raportoi gazetarja e ABC news.

Lexo po ashtu Sërish dridhje toke në Shqipëri

Ndërkaq Ministrja Manastirliu ka deklaruar nga spitali i Durrësit se nuk ka vend për panik, aktualisht të gjithë shërbimet po funksionojnë normalisht, ndërsa rastet e paraqitura në urgjencë si pasojë e tërmetit të fundit janë raste paniku që po përballohen nga spitali i Durrësit.
“Në Spitalin e Durrësit, Urgjenca po funksionon normalisht. Një pjesë e godinës është e dëmtuar dhe për momentin është bërë një vlerësim paraprak. Urgjenca po vijon funksionimin normalisht ku për momentin ka pasur 18 raste të atakut të panikut dhe nuk ka raste të rënda”, tha Manastirliu.

Lidhur me dëmtimet e shkaktuara në njërën prej godinave të spitalit të Durrësit, Manastirliu tha se aktualisht që flasim po bëhet vlerēsimi i godinës nëse do të ketë nevojë për zhvendosje shërbimi.

“Ne kemi gati planin e zhvendosjes në rast se do të ketë nevojë, ndërkohë që kemi vendosur në gatishmëri spitalet e tjera më të afërta në rast nevoje”, tha Manastirliu.

Duke siguruar se do të bëhet më e mira për shërbimin për qytetarët, Manastirliu tha: “Jam këtu, do të vijoj të jem këtu deri në fund dhe do t’ju informojmë për vendimin që do të merret pas vlerësimit të gjendjes së spitalit nga inxhinierët që janë këtu aktualisht”, tha Manastirliu.

 

Exit mobile version