Dridhje të tokës janë ndjerë pasditën e së martës në fshatin Uglar të Gjilanit.
Sipas Volcanodiscovery, dridhja ishte e shkallës 2.7 Rihter. Tërmeti kishte një thellësi prej 13 km.
Lëkundje me magnitudë të ulët në dhjetëditëshin e fundit ka pasur edhe në rajon si Mal të Zi, Shqipëri e Greqi.
Shemsi Mustafa, seizmolog, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se ky termet dëshmon për zonën që është aktive.
Sipas tij, në të kaluarën ka pasur goditje me intensitet të lartë.
“Bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, më 26/03/2024 n’ora 17:45:46 sipas kohës lokale, zona në territorin e Serbisë, afër kufirit të Kosovës është goditur me një tërmet me magnitudë 2.7 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet III-IV ballë të Merkalit”, ka thënë ai.
“Tërmeti në fjalë nuk kishte potencialin të rrezikon qytetaret apo ndonjë dëm material për shkak të forcës se ulët, nuk kishte vend për panik apo shqetësime, njëherësh ky tërmet dëshmon për zonën që është zonë aktive, e cila në të kaluarën kjo zonë ishte goditur me tërmete me intensitet të lartë bazuar në katalogun historik të tërmeteve, kjo zonë edhe në të ardhmen mund të gjeneron tërmete me magnitudë të intensiteti të lartë, ashtu sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, shkroi Mustafa./Telegrafi/