Kur isha fëmijë dhe më vonë, gruaja e axhës së madh, e fisme e dinjitoze, fliste shpesh për dajën e saj Rifat Berishën, nënkryetar i Konferencës së Bujanit dhe nënkryetar i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi i saj, të cilit i qëndronte besnik pikë për pikë, përfundonte me kullën e papërfunduar të Berishëve në Berishë të Malishevës. Rrëfimi përsëritej aq shpesh, sa me kalimin e kohës mori trajtën e legjendës. Ofshama e saj jipte shenjë për fundin e rrëfimit, të cilin do ta përsëriste ditën e nesërme.
Rifat Berisha, ishte nip i personalitetit të njohur të kësaj ane, Tahir Berisha. Në vitin 1943, nisi të ndërtonte një kullë në vendlindjen e tij në Berishë. Derisa mjeshtërit skalitnin gurët, në vend të urimit axha i tij Tahiri iu drejtua Rifatit:
– Edhe liria, edhe kulla nipash nuk shkojnë bashkë. Më mirë zgjidh të parën!
Pak ditë më vonë punimet në kullë u ndëprenë. Lufta e Dytë Botërore dhe ngjarjet politike, të cilat u zhvilluan me shpejtësi marramendëse në dëm të shqiptarëve, penguan ngritjen e saj.
Rifat Berisha gjatë Mbretërisë shqiptare ishte oficer i lartë i Gardës Mbretërore. I inspiruar nga grupet komuniste, u bë pjesë e tyre dhe luftoi për kauzën e saj deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, ishte edhe kryetar i Frontit Popullor dhe nënkryetar i Kosovës. Duke parë se idealet e tij dhe të bashkëluftëtarëve u tradhtuan, botërisht shprehu pakënaqësi kundër regjimit jugosllav. Katër vjet më vonë, në maj të vitit 1949, Rifati me vëllezër kaluan në ilegalitet dhe u strehuan te dajallarët e tyre në Gajrak të Malishevës. Ngjarja ishte tunduese. Dajët e tradhtuan. Milicia jugosllave dhe operativët e Shërbimit të fshehtë provuan t’i arrestojnë. Rifati dhe vëllezërit e tij, Mustafë, Islam e Brahim Berisha zgjodhën vdekjen me dinjitet. Luftuan plot një ditë me milicinë jugosllave, derisa u vranë.
Kaluan shumë vjet, por “legjenda” për kullën e Rifat Berishës nuk më hiqej nga kujtesa.
Në vitin 1996, me dy funksionarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës vizituam Degën e LDK-së në Malishevë. Jo për ndonjë aktivitet që ia vlente, por për t’i qetësuar gjakrat atje. Pas mbledhjes bisedova me një aktivist të Berishës, për të vërtetuar “legjendën” e kullës për të cilën më kishte rrëfyer aq shumë gruaja e axhës.
– Po. Ende janë gërmadhat e themeleve të kullës!, – tha ai.
Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, komandantët më të pushtetshëm ishin me origjinë nga Drenica, Dukagjini e Malisheva. Të bindur se vet e kanë çliruar Kosovën dhe duke përsëritur botërisht refrenin se NATO ishte vetëm një kontingjent periferik për të ndihmuar luftën në Kosovë, ende pa ua dhënë armëve lamtumirën, pushtuan majat e politikës dhe biznesit. Pasi nuk kishin mbaruar si duhet punë me luftën dhe në politikë ishin amatorë, vendosën që duke i përdorur këto dy rekuzita të realizonin egon e zhvatjes.
Komandantët me origjinë nga Drenica e Malisheva, rrëfimin për kullën e Rifat Berishës e kanë dëgjuar dhjetëra herë. Besoj se ua kanë rrëfyer edhe homologëve në zonat tjera operative të Kosovës, pasi janë rritur në ambientet ku narracioni oral është shumë i zhvilluar dhe odat në këto rajone ende krahasohen me Universitet.
Komandantët e kanë ditur, siç e dimë të gjithë se Kosova është çliruar falë ndërhyrjes së NATO-s, më saktë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë. Kur zbritën në Prishtinë, ata e dinin si çdo qytetar i Kosovës se duhet edhe shumë punë për pavarësinë e saj.
Vjen një ditë dhe jipen llogaritë si i vdekuri Ditën e Gjykimit. Vitet e fundit ishin të pakëndshme për komandantët e luftës së fundit në Kosovë. Janë arrestuar jo vetëm anëtarë të ish-Shtabit të Përgjithshëm, por edhe shefat kryesorë të saj. Këtyre arrestimeve, të rreshtuarit e taborreve politike, të cilët nuk i përkasin “krahut të luftës”, naivisht mund t’u duartrokasin, por që nuk janë shenjë e mirë për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane. As “paqësorët” nuk mund t’i shpëtojnë epidemisë së korrupsionit dhe krimit të organizuar. Llogaridhënia edhe për ata nuk do të jetë e lehtë.
Përfaqësues të administratës së Uashingtonit dhe Brukselit, jo rrallë përdorin sloganin se me arrestimin e individëve, nuk dëmtohet imazhi i luftës së fundit në Kosovë, por imazhi është dëmtuar rëndë. Tagrin e papërgjegjësisë, pavarësisht pozitave e gradave në hierarkinë e shtetit më të ri në Gadishull, do ta paguajnë vet qytetarët e Kosovës. Gabimi më i pafalshëm i institucioneve të vendit ishte papërgjegjësia në kryerjen e detyrave dhe standardet e dyfishta me Uashingtonin dhe Brukselin. Pasi nuk i kryem detyrat e shtëpisë, ato do t’i kryejnë të tjerët, por dhembja do të jetë e gjatë dhe pasojat do t’i vuajnë gjeneratat.