Në galerinë “Vaku Project Space” në Bergamo, më 17 mars Lekë Tasi ka hapur ekspozitën me piktura dhe grafika.
Ekspozita mbante titullin, “Djaloshi Lekë Tasi”, ndërsa kurator ishte Alberto Ceresoli, i cili në hapje citoi një thënie të Lekë Tasit: “Serioziteti është armik vrastar i fantazisë”!
Lekë Tasi u lind më 1929 në Athinë. Më 1941 kthehet në Tiranë ku studion për violonçel te pedagogu Walter Caletti.
Punoi si çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës nga ku u pushua për motive politike në vitin 1967, për t’u internuar në Grabjan.
I ati i tij, Koço Tasi, ishte Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës si dhe ministër i Drejtësisë. Xhaxhai i tij, Akile Tasi, ishte ministër Kulture.
Lekë Tasi ka pikturuar që në fëmijëri të tij, ndërkaq është ndoshta i vetmi piktor i moshuar që nuk u “infektua” nga eksperienca e socrealizmit.
Lekë Tasi është edhe shkrimtar, ndërsa flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe italisht.
Ekspozita e tij u mirëprit nga adhuruesit e artit në Bergamo të cilët patën rastin të shohin edhe dokumentarin për jetën e tij, “A mund t’ia nisim prej fillimit”, i realizuar nga Stefan Çapaliku dhe Ervin Çoba. /Telegrafi/