Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut që e kanë përfshi sot një pjesë të Kosovës, si pasojë e vërshimeve të ujit është bllokuar magjistralja Prishtinë – Ferizaj në Bibaj të Ferizajt.
“Rrebeshi i shiut që e përfshiu një pjesë të Kosovës para disa minutash ka bërë që magjistralja Prishtinë – Ferizaj në Bibaj të Ferizajt të bllokohet nga vërshimet e ujit”, ka shkkruar Lekaj në Facebook.
“Sipas informatave të para kjo ka ndodhë si pasojë e mbylljes së “drenazhes” (vijave kulluese të brezit rrugor) dhe prandaj kemi patur grumbullim të sasisë së ujit”.
Sipas Lekajt, kompania e mirëmbajtjes që është e përzgjedhur për këtë pjesë, është në vendin e ngjarjes dhe po intervenohet për të mundësuar pastrimin e zonës së përmbytur.
“Ju bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që të respektojnë rregullat e mbrojtjes së brezit rrugor, ndryshe inspektoriati i Ministrisë së Infrastrukturës do të udhëzohet të dalë në teren për të parë nga afër kyqjet në këtë pjesë”, ka shkruar Lekaj. /Telegrafi/