Ministri Lekaj, priti sot në takim njoftues udhëheqësin e ri të BERZH-it për Kosovë, Neil Taylor, i cili falënderoi ministrin për pritje dhe theksoi faktin se Kosova është një partner i rëndësishëm i BERZH-it.
Në veçanti ai potencoi faktin se deri më tani janë akorduar rreth 330 mil. Euro kredi për projekte të infrastrukturës rrugore, që është pjesa më e madhe e të gjitha projekteve të financuara nga BERZH-i në Kosovë, duke filluar nga zgjerimi i rrugëve ekzistuese për qytetin e Ferizajt, Pejës dhe Gjilanit, pastaj zgjerimi i rrugës Kijevë-Zahaq, por edhe rindërtimi i hekurudhës.
Taylor e informoi ministrin Lekaj se tenderi për përzgjedhjen e operatorit për ekzekutimin e punëve në segmentin e hekurudhës Fushë-Kosovë- Hani i Elezit do të publikohet javën që vjen, ndërsa edhe procedura për segmentin e dytë pritet të finalizohet së shpejti .
Më tutje, vazhdimi i autoudhës Besi-Merdare është në fazën e përgatitjes së dokumentacionit nga konsulenti i kontraktuar nga BERZH-i për të cilin Bashkimi Evropian ka ndarë një shumë prej 4,2 milionë Euro, me përkushtimin e BERZH-it për financimin e këtij projekti në pjesën e Kosovës, ndërsa vazhdimin e autostradës deri në Nish do të bëhet me financim të Bankës Investive Evropiane (EIB).
Ministri e falënderoi Taylor për lajmin e mirë se ekzekutimi i punëve në infrastrukturën hekurudhore do të fillojë së shpejti dhe e informoi njëkohësisht Taylor se projekti i zgjerimit të rrugës Kijevë-Zahaq i financuar nga BERZH është në vijim e sipër dhe se shumë shpejt pritet të bëhet përzgjedhja e operatorit dhe fillimi i punimeve.
Lidhur me projektet e reja, ministri Lekaj tha se vazhdimi i i autoudhës Besi-Merdare dhe blerja e pajisjeve për avancimin e teknologjisë në kontrollin e trafikut ajror të ASHNA do të bëhen me financim nga BERZH. Në takim u diskutua edhe për projektet tjera të ndërtimit të infrastrukturës rrugore.
Ministri Lekaj, tha se ndërtimi i rrugëve të reja dhe rindërtimi i rrugëve ekzistuese është një objektiv i përhershëm i vendit tonë dhe se Ministria e Infrastrukturës do të jetë e përkushtuar që të gjitha projektet ekzistuese të përfundojnë me kohë dhe pa ngecje në punë.
Në këtë drejtim, ministri e siguroi shefin e BERZH-it për Kosovë, se çdo zyrtar i ministrisë do të jetë në krye të detyrës deri në përfundimin e secilit projekt të financuar me paratë e huazuara nga BERZH.
Të dy palët u pajtuan që të përcillet me përpikëri në baza të rregullta kohore puna në zbatimin e projekteve të BERZH-it sipas planit dinamik të punimeve me qëllim të përfundimit të tyre me kohë. /Telegrafi/