Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka reaguar ndaj iniciativës së përfaqësuesve të shoqërisë civile nga komuniteti serb për ngritje të kallëzimit penal kundër deputetit Daut Haradinaj, për shkak të një deklarate që ai kishte bërë gjatë një interviste në RTV Dukagjini.
Lekaj, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se paralajmërimi i deputetit, Daut Haradinaj, nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti që jeton në Kosovë.
Postimi i plotë i deputetit Lekaj:
“Ekstradimi ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Serbi, nënkupton destabilizim të Kosovës e Ballkanit – Kjo nuk është në favor të asnjë komuniteti.
Paralajmërimi i deputetit, Daut Haradinaj nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti që jeton në Kosovë. Ai reagim ka qenë vetëm një paralajmërim se dikush po tenton me nxit diçka jo të mirë në Kosovë, përmes rastit të ish-Kryeministrit, Ramush Haradinaj në Francë.
Qytetarët serb të Kosovës nuk duhet të lejojnë të bijën pre e lojërave të Serbisë, e të përdoren për qëllime të Beogradit zyrtarë.
Askush me shumë se Ramushi nuk është angazhuar që të integrohen komunitetet në jetën institucionale të Kosovës. Prandaj zërat dhe intrigat e tipit të “kallëzimit penal” siç paskan paralajmëruar disa “përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serbë” kundër deputetit, Daut Haradinaj nuk janë asgjë më shumë se tendencë e dikujt për t’i rikthyer në pikën zero të arriturat në procesin e integrimit të këtij komuniteti në Kosovë.
Leni lojërat që nxisin urrejtje, e merruni me angazhime që e rregullojnë jetën e qytetarëve tuaj në Kosovë”, ka shkruar Lekaj. /Telegrafi/