Telegrafi

Lekaj, Qeverisë Kurti: Është koha të realizoni ato që premtuat

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj në seancës e sotme të Kuvendit të Kosovës,  tha se debati mbi pasojat e pandemisë në ekonominë e vendit është i mirëseardhur, duke parë situatën dëme të shkaktuara në sektorin e ekonomisë.

“Edhe para se të vini ju por edhe tani që ju jeni në pushtet situata po përkeqësohet më shumë, ku vërejmë që niveli lokal është përballur me vështirësi si rezultat i ndryshimeve thelbësore me buxhetim dhe menaxhim financiar dhe se qytetari është duke pësuar”, tha Lekaj,

Ai tha se qytetarët janë duke pasuar për shkak se nga të dhënat shihet se qeveritë lokale në Kosovë kanë një rënie të ndjeshme të tatimit mbi të ardhurat, taksës së shitjes dhe të ardhurave tjera.

Tutje Lekaj tha se kjo nuk duhet të lejohet nga qeveria pasi që këta të fundit kanë ardhur në pushtet duke u thirrur në emër të kthimit të shpresës, të jetesës cilësore dhe të një udhëheqjeje që nuk e kanë parë qytetarët qe 20 vite.

“Prandaj është koha dhe momenti juaj, realizoni atë që premtuat. E nderuara qeveri Kurti, qytetarët nuk harrojnë që Vetëvendosja ishte ajo që bllokoi me muaj të tërë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku sipas jush ishte një projektligj i pa logjikshëm dhe i rrezikshëm, e siç e dimë mungesa e këtij ligji hendikepoi shumë veprimtari, biznese e qytetarë të Kosovës dhe se një pjesë të madhe të fajit në këtë proces të humbjeve të mëdha ekonomike keni gisht ju si parti madje më shumë se të gjithë”, tha Lekaj.

Lekaj tha se nuk po shohim ndonjë ide për financim ekonomik për të ndihmuar qoftë bizneset, qoftë qytetarët e kjo nuk mund të njihet ndryshe përveç si një dështim si rrjedhojë e një qeverie pa projekte, një qeveri që nuk di të udhëheq.

Ai tha se opozita nuk mund të mbyllë sytë sepse pandemia ka krijuar efekte negative gjithandej vendit dhe se shteti e ka për obligim të qëndroj afër bujkut, afër blegëtorit, afër sektorit privat dhe gjithë atyre qe janë pjesë e hallkave të zinxhirit ekonomik të shtetit të Kosovës. /Telegrafi/