Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se Qeveria Kurti po shantazhohet nga serbët në veri të vendit.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj pas vendimit të Kuvendit për autorizimin e KOSTT-it që të paguajë 11 milionë euro për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore, tha se me këtë mënyrë ekzekutivi po shkel barazinë ndërmjet qytetarëve.
“Qeveria e Kosovës po shantazhohet nga serbët, përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, i cili ndërtohet falë djersës së qytetarëve të Kosovës, nga ky veprim po krijohen një sërë dëmesh zingjirore. Me këtë vendim, Qeveria Kurti po pajtohet se nuk ka potencial të ndëshkojë shkelësit e ligjit të cilët keqpërdorin rrymën. Gjithashtu, kjo rezulton edhe në rritjen e kostos së operimit sepse obligohemi të blejmë energji kur ajo nuk mjafton për të përballur kërkesat. Kjo e rritë edhe koston”, tha ai.
Lekaj përmes një konference për media, pyeti Qeverinë Kurti se ku i mori 11 milionë euro, derisa ndali shtesat për pensionistët.
“Qeveria e Kosovës ka ndalë pagesën e 20 eurove për pensionistë duke u thirrur se nuk ka buxhet, a thua ku i morën 11 milionë euro që të bëjnë pagesën për shpenzime elektrike që është jo legjitime. Mendoj që këtë drejtim, Qeveria e Kosovës e ka goditur qytetarin e Kosovës. Kjo është e padrejtë sepse po diskriminohen shumica e qytetarëve. Si duket për këtë qeveri është më e arsyeshme që të paguhet rryma për serbët në veri, se sa shtesat për heronjtë, pensionistë, policët, shëndetësi dhe arsim. Kjo qeveri e llogaritë të paarsyeshëm pagesën për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë që po mbahen në Hagë. Më të lehtë e ka të jep 11 milionë euro për rrymë në veri se sa 1.6 milion për mbrojtjen e luftës së shenjtë të UÇK-së”, u shpreh ai.
Lekaj kritikoi edhe u.d të shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila për deklaratat e saja se në veri bandat shqiptare po e keqpërdorin energjinë elektrike me kriptovaluta.
“Ju ke keni pa deputetët Kusari-Lila ku edhe për këtë keqpërdorim ia mvesh shqiptarëve. Duke i quajtur edhe bandita. Është e pakuptimit dhe për mua nuk do koment. Duhet zonja Kusari-Lila të distancohet nga ky deklarim sepse jemi mësuar historikisht që çdo herë fajin t’ia gjuajmë vetit”, tha ai./Kp/